Burri i ulur këmbëkryq në mes të dhunës serbe, historia e fotografisë së Hazir Rekës

8 Shtator, 2017 - 6:12 pm

Ishte gushti i vitit 1990, kur shqiptarët e mbledhur pranë hotelit Grand në Prishtinë, prisnin me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan, të kryesuar nga Senatori Bob Dole.

Tubimi i tyre, për të protestuar për të drejtat që u takojnë, u shua me sulmin brutal të Policisë serbe. Në atë turmë ishte një burrë sypatrembur. Teksa të gjithë iknin, ai u ulë këmbëkryq. Ky imazh, i fiksuar nga fotografi Hazir Reka, do të publikohet në shumë gazeta dhe televizione botërore. Kush është ky burrë në fotografinë ikonike të Kosovës? Cili ishte ky njeri- permendore qe u “ngrutësua” midis dhunës e turmës?

Ishte lindur në Preshevë, por jetonte në Prishtinë. Më 1974 punësohet në KEK. Në vitin 1981 merr pjesë në demonstratat e nisura nga studentët, e më vonë dërgohet për të punuar në Drenicë. Kjo është biografia e shkurtë e Faik Rexhepit njeriut qe atë ditë nuk ju tremb syri. Sot, i shtyrë paksa në moshë, por me kujtesë të fortë, flet për për kohën kur burrëria e tij fiksohet në përjetësi.

Në vitin 1990 Rexhepi ishte inxhinier i kimisë në “Ferronikel” të Drenasit. Në këtë gjigant atë vit ishin instaluar masat e dhunshme nga Serbia. Ndaj, si shumë kolegë të tjerë, nuk mundte të rrinte i qetë para sfidave historike: terrorit që në të gjitha sferat e ushtronte Serbia! Ndaj, me të dëgjuar për vizitën e paralajmëruar të delegacionit amerikan në Prishtinë, Rexhepi me shokët vendosi të vinte në Prishtinë.
“Isha edhe nxitës i tyre, që të merrnin pjesë në protestat që u zhvillonin në atë kohë. Sepse, e vetmja mënyrë atëherë për ta fituar lirinë që e kemi sot, kanë qenë demonstratat”, thotë ai.

“Në qendër të Prishtinës, para hotelit Grand, kemi arritur diku kah ora 11:00 e ditës. Dielli po nxëntë. Ishim të emocionuar dhe me padurim prisnim diplomatët amerikanë. Ishim tubuar me flamuj e pankarta, për të dëshmuar shkeljen elementare të të drejtave të njeriut dhe robërimin e Kosovës. Policia ishte e armatosur deri në dhëmbë dhe vetëm pritej momenti kur do të intervenonte”, kujton ato momente bashkëbiseduesi ynë.

Kah ora 12:00, Policia nisi të futej nëpër masën e njerëzve. Ata kërkojnë që protestuesit të tërhiqen nga Grandi. Madje, kishte kërkesa që të shpërndahen duke thënë se “amerikanët do të vonohen pakëz”.“U tërhoqëm nja 50-70 metra nga hoteli dhe ashtu po qëndronim, por duke mos lëvizur më asnjë metër prapa. Situata dukej se do të eksplodonte, sepse nervozizmi te policët serbë ishte i madh. 30 minuta më vonë, Policia nisi intervenimin kundër masës, duke përdore shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës”.

Rexhepi atëherë u thotë disa qytetarëve që të ulen në tokë, sepse kështu do të tregojnë se janë paqedashës, se nuk sulmojnë, porse po protestojnë kundër dhunës.

“U ula për të treguar se ky vend është i joni e se s’kemi ku të shkojmë. Prandaj, s’kam lëvizur nga aty. Mbeta vetëm, e krejt ikën. Kur arrijti Policia serbe, më goditën disa herë me shkopinj gome. Më kapën për krahu që të më dërgonin në veturat e Policisë. Por, për fatin tim, në atë moment vjen një femër, basketbolliste e Ferizajt, që më terhoqi për krahu edhe iu drejtua policëve në gjuhën serbe: ‘Zoti ju marroftë, lëshojeni njeriun, pse po e maltretoni’”! Kjo situatë ësghtë xhiruar dhe dokumentuar në një video.

Sulmi ishte barbar. Pas 20 minutave masa u tërhoq. Serbët që e arrestuan Rexhepin, u hutuan nga reagimi i gruas shqiptare, por edhe nga kameramanët dhe fotoreporterët e shumtë aty. Ai futet në Grand. Në ato çaste nuk mundte të orientohej. Veten e gjeti në katin e gjashtë të hotelit, ku iu afrua një gazetare kroate që i kërkoi intervistë. Edhe pse situata ishte alarmante, ai pranon. Por, nuk kaluan as dy-tre minuta e Policia speciale futet në hotel, duke sulmuar kë e zinte – madje edhe gazetarët. Në atë kaos Rexhepi arrinë të hikë. Me disa shokë të tjerë, strehohet në banesën e gruas trime që reagoi kundër Policisë serbe.
“Aty kemi qëndruar derisa ka rënë terri. Burri i saj insistonte që të mos dalim, sepse situata ishte ende e rrezikshme. Qyteti dukej shkretë. Nuk kishte asnjë lëvizje të qytetarëve, përveç patrullave të Policisë”. Rexhepi në shtëpi shkon nëpër terr e i dërmuar. Aty sheh plagët që kishte nga goditjet e policëve serbë.
Bob Dole, me të arritur në Prishtinë, ishte informuar për atë që kishte ndodhur në qendër të qytetit. Për këtë madje ai kishte reaguar publikisht. Ndërsa, fotografia e Rexhepit këmbëkryq, e bërë nga Hazir Reka, do të përshkojë botën.

Që nga viti 2007, Rexhepi është i pensionuar. Sot ai ka një mesazh për të gjithë: “Askush nuk të mëshiron, nëse nuk je vet këmbëngulës. Me punë arrihet gjithçka. Edhe kombi e edhe shteti varen prej punës. Kjo është ajo që na duhet sot”.
/ Akordet e Kosovës /

Të ngjajshme