Cakaj në Paris, tjetër kërkesë për Kosovën: Të anëtarësohet në UNESCO

14 Nëntor, 2019 - 7:00 pm

Në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, ministri  në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO sipas Cakaj, vetëm do të përforcojë vlerat që përfaqëson kjo organizatë, nga edukimi deri te trashëgimia kulturore.

Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e edukimit në zhbërjen e sjelljeve përjashtuese dhe ekstremiste, si dhe për rëndësinë e patjetërsueshme të dialogut multikulturor.

Gjithasht u shpreh gatishmëria për thellim të bashkëpunimit gjatë Kryesisë së OSBE-së 2020, veçanërisht në fushën e promovimit të lirive themelore, politikave anti-diskriminuese dhe dialogut të hapur shoqëror.

Ministri Cakaj, në takim ngriti edhe çështjen e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO, si një e drejtë e një vendi që kërkon të bashkëpunojë me UNESCO-n, në shërbim të arsimimit më të kualifikuar të qytetarëve të Kosovës, mbrojtjes së vlerave të tyre kulturore dhe artistike dhe krijimit të një mjedisi rajonal, ku Kosova të rrisë bashkëpunimin edhe në këto fusha.

“Theksova rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO. Kosova sot është shembull rajonal në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe trashëgimisë kulturore përgjithësisht”, është shprehur në një postim në “Facebook” Cakaj.

Sot, Cakaj ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës edhe në Këshillin e Evropës. /KultPlus.com

Të ngjajshme