Çejzi, ekspozita e gruas shqiptare para se ta fillojë jetën te burri

1 Prill, 2019 - 1:50 pm


Arbër Selmani

Ndër shqiptarë, kur një vajzë është martuar, ka ndërtuar edhe çejzin e saj. Një formë e ekspozitës të cilën duhej ta shihnin të gjithë, çejzi (paja e nuses) ka përmbajtur shumëçka prej rrobave e objekteve të ndryshme.

Emërtimi “Çejz” në kulturën shqiptare ka hyrë dhe mbetur nga sundimi osman (turqisht: çeyiz) ndërkohë që paja apo prika e nuses është traditë që ka ekzistuar gjithmonë. Sepse gruaja tek shqiptarët është dashur të shkonte tek burri duke krijuar çejzin, me vath, me shamija të kokës, me gërshërë, me sapun e gjerdan, me kësulë e këmishë e xhamadane prej kadifeje. Këto dhe shumë më shumë, kanë paraqitur dhe paraqesin edhe sot një formë transferimi të pasurisë prindërore, dhuratave apo parave, me qëllim martesën e një vajze.

Sipas traditës, çejzi është një grumbullim i pasurisë të cilën sipas këtij rituali gjithnjë e bart një grua kur lidhë kurorë me një burrë. Në anën tjetër, kjo praktikë është karakterizuar me një proces të ndërlikuar të punëdores si dhe është shfaqur përmes një estetike të veçantë e cila si e tillë ngërthen në vete vlera të trashëgimisë kulturore.

“Unë jom shyhretlike, e du çejzin tem, fëmijës tem nesër ma e knaqt jom me ja bo krejt çejzin”

“Unë, kur jom martu para 9 vitesh, kom pasë 2 dhoma me çejz, njëra e imja dhe tjetra me gjanat që i kanë pru familja e burrit. Ka qenë një dhomë me tesha, me ari, me fustana, me dallame. U kon tamon çejz për me dalë prej shpisë, se qashtu osht dasht me dalë prej shpisë vajza, me qeiz, qysh e ka lon Zoti, njëfarë emocioni që diqysh vajza është shku me tona gjanat”.

Fotografia: Arbër Selmani

Bekrija është e re në moshë, fanatike e çejzit. Rrëfimin e saj e tregon derisa unë e vizitoj edhe dyqanin e saj, aty ku ajo është ‘nuse për së dyti’, duke shitur rroba për nusëri. Ajo thotë se çejzi sot nuk e gëzon ndoshta fatin dhe emocionin e dikurshëm, por është traditë dhe lehtësisht nuk shkëputet prej këtij populli.

“Nëse për një ditë a dy nuk përdoret, kthehet prapë. Kur je shyhretli, i respekton traditat tona dhe çejzin. Osht njëfarë kënaqësie për mu edhe sot me punu në çejz, edhe me e mirëmbajtë. Unë vet 40 tentene i kom punu për dasmaxhinjtë që kanë ardhë, e motra i ka shpërnda me tabak, që me u ditë që i ka sjellë nusja edhe janë punim dore. Shpirti m`knaqet edhe kur e mendoj çejzin tem, edhe kur e përdori. Unë tre jeleka i kom që i ndërroj për raste të ndryshme, e fëmijës tem nesër ma e knaqt jom me ja bo krejt çejzin, edhe nëse veç nuk i pëlqen” tregon Bekrija.

Në dyqanin e saj, ka interesim edhe sot për produkte që e kompletojnë çejzin e një nuseje. Dallamat, shembull, kushtojnë prej 400 euro e tutje. Ajo vetë i ka pasur të tillat në çejzin e saj.

A është sot i njëjti interesim për çejzin sikur më parë?

Periudha derisa përgatitet çejzi, e cila njihet në kulturën popullore edhe si periudha ‘nër unaz’, përshkohet prej normave të larta morale. Gruaja i ekspozohet ndalesave të lëvizjes: ajo nuk shoqërohet shumë me shoqet e saj, nuk shëtitë nëpër lagje, nuk duhet të shihet në oborrin e saj (sidomos prej atij që do të jetë së shpejti bashkëshorti i saj dhe bashkëudhëtari i jetës) dhe as duke e punuar fushën. Si shenjë e jashtme e betimit, ajo e mban një shami a shallë në kokë.

Në regjionin e Hasit, vajza mbante një shallë të bardhë derisa në Malësi të Madhe, një xhubletë me oja. Koha më e madhe e vajzës do të kalonte duke i qepur e thurur gjësendet e çejzit të saj. Në gjum, vajza do të ëndërronte për jetën që po e priste, plot mëlmesa bashkëshortësie.

E sapo të përfundojë çejzi, dy familjet – ajo e vajzës dhe djalit diskutojnë dhe familja e djalit shkon tek familja e vajzës për ta ‘këput hesapin’ dhe për ta ‘marrë penin’. [i]

Fotografia: Arbër Selmani

I bukur dhe plot traditë si veprim. Megjithatë, me kalimin e kohës, paja e nuses do të mund ta ketë humbur vëmendjen. Kohët moderne sikur kanë sjellë gjenerata të cilat e kanë problem të adaptohen me këtë pjesë të institucionit të martesës, e të cilat shpesh nuk e llogarisin aspektin e traditës dhe ruajtjes së një rituali i cili, i shpejtë, humb nga sytë gjatë martesës por rikthehet në përdorim gjatë jetës së gruas pas martesës.

“Ka edhe sot interesim, ka shumë gra të reja të flakta për me bo çejzin e mirë, me jeleka e dallame e me tentene, edhe me këmisha ma serioze. Unë kam kujdes se nji katror me bo me e gabu, krejt tentenja prishet. Hala edhe sot kur dikush fejohet a martohet njerëzia çojnë tentene, ja maron një tentene dikujt- thojmë na” tregon Bekrija.

Rrobaqepësja dhe shitësja në LETA d.p.z në Prishtinë, që nuk dëshiron të tregojë emrin e saj, thotë se interesimi është shumë më i vogël se më përpara, megjithatë kjo lidhet me faktin se perceptimi gjeneral për paketën complete të çejzit ka ndryshuar.

“Nuk po përdoret sot çejzi edhe paja si ma përpara, nuk po praktikohet shumë. Të jashtit që vijnë kanë qef ma shumë se këta tanët. Unë normal kur ka kërkesa e boj çejzin komplet, e punoj vet edhe bile me shumë kënaqësi. Tentetet i kanë qef ma shumë, për tavolina, por ka dikush që blen postava e elemente tjera” tregon shitësja, e cila thotë se kërkesat çdoherë e më shumë po shkojnë drejt rënies.

Tentenet për çejz në këtë dyqan, të gatshme, kushtojnë prej 20 euro e deri në 60 euro, varet prej krejt madhësisë.

“Ma përpara, tentenet shembull janë vendosë në tavolina që kanë qenë të kqija, e tentenja e ka zbukuru. Sot krejt po blejnë tavolina të bukura edhe tentenja as që vjen në konsideratë” tregon kjo shitëse, dukshëm edhe vet një fanatike e çejzit dhe ruajtjes së kësaj tradite.

Fotografia: Arbër Selmani

Sociologe dhe profesoreshë, Nita Luci ka treguar në një diskutim në kryeqytet mbi çejzin se çejzi është trajtuar si një lloj i së bukurës por, jo si një lloj aseti që ka mundur të transformojë pozicionin shoqëror ose ekonomik të grave.

“Ajo se çka është komunikuar nëpërmjet çejzit varet edhe nga gjenerata dhe përkatësia socio-ekonomike. Është çështje e kapitalit ekonomik, simbolik dhe kulturor, njëkohësisht qasje për kërkim të pushtetit”.

Ta mbash gjallë çejzin, me anë të filigranit të letrës e me anë të projekteve artistike

Dhe si i tillë, çejzi ndër shqiptarë vazhdon të frymojë. Nuk duket se është as në frymët e fundit sepse me iniciativa të ndryshme, paja e nuses do të jetë e pranishme edhe te nuset e ardhshme shqiptare, por edhe tek sytë e atyre që çejzin e shohin ose si shtypje që ka ardhur prej patriarkatit ose si një art në vete, një bukuri artistike që nuk meriton zhdukjen.

Sali Shoshi nga Cultural Heritage Without Borders (Trashëgimia Kulturore Pa Kufinj) –CHWB, na tregon se kjo organizatë ka ndihmuar disa herë në hulumtimin dhe dokumentimin e traditave të çejzit si një pjesë e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve dhe popujve tjerë të Ballkanit.

Në vitin 2005, CHWB është marrë me organizimin e dasmës tradicionale, me të gjitha aspektet e organizimit, përfshirë edhe çejzin. Dasma është organzuar në bashkëpunim me komunetetet lokale të Isniqit dhe Drenocit.

Burimi: CHWB –
https://bit.ly/2U7tBfQ

“Gjithashtu, një tjetër kontribut i CHWB-së është mbështetja e zejtarisë – punime dore. CHWB ka ndihmuar në themelimin dhe konsolidimin e rrjetit të grave artizanale të OJQ JETA në Deçan. Bëhen 15 vjet që ky rrjet është funksional dhe një prej aktiviteteve të tyre është puna artizanale, përfshirë përgaditja e çejzit. Kuptohet që sot çejzi është transformuar, dhe ka të bëjë me tepër në ruajten e traditës se saj në nevojën utilitare” tregon Sali Shoshi.

Doruntina Ukimeri, vajzë e re nga Kosova, pikërisht me ndihmën e programit Heritage Space në CHWB, ka marrë përsipër një mision të rëndësishëm: përkthimin e çejzit nga një traditë shqiptare në një projekt që mund të gjenerojë të holla dhe të jetë ekonomi. Prej vitit 2012-të, ajo punon si artiste me teknikën e filigranit të letrës, ku krijon mes tjerash edhe punime me motive nga komponentetet e çejzit. Ajo vetë nuk është martuar me çejz, por thotë se si e vogël ka parë shumë çejze dhe është fascinuar se sa shumë punëdore dhe sa shumë mund është shpenzuar që në fund, gjithçka të duket bukur.

Me leje nga Doruntina Ukimeri, ekspozita ‘Çejzi’

“Fillimisht, kom dasht me e ripru qilimin e gjyshes time, të cilin ajo e ka pru në çejzin e saj. Filigrani i letrës kërkon shumë kohë, dhe unë e punoj me letër të hollë në shirita 5-milimetërsh. Në projektin tonë, me qëllim që këto punime të shiten, unë po i bëj në formate të vogla: pra në vend të një gobleni unë po e punoj një lule të goblenit, në vend të tentenes vetëm një pjesë të saj” tregon Doruntina.

Para pak javësh ajo e hapi në Prishtinë ekspozitën e saj me këto punime. Së shpejti, ajo do të nisë që ti shesë këto punime online, dhe më pas edhe në dyqane.

“Te Kanuni i Skënderbeut është e përcaktume çka duhet me pasë një çejz, sepse gjithmonë ka qenë ndër shqiptarë një traditë e lidhur shumë me mënyrën e jetesës së njerëzve. Femrat është dashur të përfshijë në çejz pizhama, qarshafa, jeleja, opinga, madje ka pasur edhe gjësende më intime dhe janë përgatitë edhe gjëra për vdekjen, për ceremonitë mortore, e madje edhe pjesë të veshjeve të brendshme për gratë” tregon Doruntina, e cila edhe e ka hulumtuar çejzin ndër shqiptarë, një pjesë pak e dokumentuar.

Me leje nga Doruntina Ukimeri, ekspozita ‘Çejzi’

Në vitin 2016, në Malësi u hap një ekspozitë që kryefjalë e pati çejzin.

Në Muzeun Etnografik të Malësisë në Lekaj, në gusht të vitit 2016 u hap ekspozita ‘Paja e Nuses’. Ekspozita asokohe u vizitua shumë pak, derisa pronari i Muzeut, Shtjefën Ivezaj, u ndie i zhgënjyer me numrin e vogël të vizitorëve.

Aty ishin të ekspozuara veshje nusërie dhe mjete të tjera të cilat sipas zakonit, i siguronte familja e nuses, si pasuri të cilën nusja do ta merrte me vete tek burri. Në këtë ekspozitë kishte edhe punime që datonin në viti 1966 dhe ekspozoheshin për herë të parë.

Dhe një herë e një kohë, në pajën e një vajze ishte një piano. Kjo vajzë ishte vajza e poetit Naim Frashëri, e cila diku rreth vitit 1890, solli si pjesë të çejzit një piano, një histori kjo që ka mbetur e shkruar në historinë e Frashërlinjëve plot kulturë e intelekt.  

“Paja e Nuses” në Malësi të Madhe / Burimi: Malësia.org

Çejzi e paja, pjesë e Kanuneve shqiptare ndër vite

Në të kaluarën, çejzi ishte pjesë e pamunguar e mozaikut të dasmës, kur vajzat e reja përgatiteshin për martesë. Çilima, çarçafë, mbulesa dekoruese e elemente tjera duhej të përmbante arka e çejzit. Edhe sot, figurativisht çejzi i nuses përmban kryesisht elemente të njëjta: goblen, jelek, qilim, vath filigrani, tentene, mindil, gjergjefi, çorape me maja të kuqe, opinga, qafore filigrani dhe jastëkët.

Në kulturën shqiptare, paja e nuses është e përcaktuar edhe me Kanun, libër ky i cili dikur përfaqësonte përmbledhjen e normave dhe dokeve shqiptare me karakter juridiko-social. Kanuni i Skënderbeut, në kreun e katërt e shtjellon fejesën dhe martesën ku ndër të tjera përcaktohet edhe veshja apo paja.

Në artikullin e IX-të të kreut të katërt shpjegohet Sheji.

“Sheji është unaza, shamija e të hollat që shtëpia e dhëndrit i çon shtëpisë së vajzës për të xanë bijën e tyre për djalin e vet. Të hollat e shejit nuk shtihen në pajën e vajzës, por i shkojnë shtëpisë së saj”.[ii]

Në artikullin e XI-të përcaktohet në detaje paja mesatare e nuses së krishtere si dhe paja mesatare e nuses muhamedane.

Fotografia: Arbër Selmani

Sipas Kanunit të Skënderbeut, paja mesatare e nuses së krishtere përmban, mes tjerash, edhe 15-20 palë këmishë e mbathje, 8 xhamadana kadife, 4 të kuq e 4 të zi, 8 përparëse (bohçe), 15 palë çorapë të gjatë leshi posë darive, 2 vargj (zinxhir) priçi prej 5 fillesh, 4 palë openga gjedhi, 6 unaza, 1 groshar: Varg sermi me pare t’imta (grosh e gjysëm korone), 1 palë vath sermi, 1 krahen, duvakun: her me shqipe të zeza dykrenare në mes të fushës së kuqë, her me kryq ari në mes të fushës së kuqe. Krushqit kur shkojnë me e marrë nusen i dërgojnë prej anës së dhandrrit 1 palë opinga.

Paja mesatare e nuses muhamedane përmban, mes tjerash, 15-20 këmisha e mbathje, 15 jelek e mejtana (anteria kumbashi me ngjyra), 6 shamija të mëndafshta, 10-15 përparëse (bohçe) të kuqe me vija, 2-3 prej tyne janë të zeza, 15-20 palë çorape të gjatë leshi, 1 gjerdan, 1 ibrik, 1 legen, 1 gjym. Krushqit kur shkojnë me e marrë nusen i dërgojnë prej anës së dhandrrit opinga, krahën, gërshanë, sapun, duvak dhe gjybel.

Kanuni i Lekë Dukagjinit gjithashtu e përcakton shejin por jo edhe pajën në detaje. Në nyjin e nëntëmbëdhjetë të këtij kanuni përcaktohet çmimi që jepet për gra dhe vajza.

‘Çmimi, qi nepej për varza e gra, tash e 50 vjetë e andej, perbahej prej 50, 100, 200 mijë 400 groshësh; Çmimi i kanus së vonë përbahet prej 1500 groshve, aq sa ban gjaku i grues’. [iii]

Çejzi është traditë që sot praktikohet në mbarë botën. Në adetet boshnjake, çejzi poashtu zë vendin e tij në hierarkinë e ditës. Në dhomën e nuses ekspozohet çejzi, derisa ajo pret të largohet me kalin e shalës që është i dekoruar me dy çevre në kokë. [iv]

Çejzin shqiptar, për ta sjellë në formën e tij perfekte, shpesh kanë ndihmuar edhe nënat e nuseve. Janë punuar qylyma, dyshekët, sexhadet, jastëkët, e më pas janë punuar edhe këmisha me pëlhura, polluvera, xhempera. Janë punuar dikur edhe hyramat, që më vonë nisën të quheshin çarshafa.

Çeizi turk / Burimi: Sabah
Çeizi turk / Burimi: Sabah

Në zonat më të thella të Shqipërisë, që në momentin që lindte vajza, nëna kujdesej që çdo gjë t`ia ruante vajzës për pajë, për çejz. Për nënat shqiptare ka qenë gjithmonë krenari që gjërat më të bukura t’i ruanin për çejzin e vajzës, sepse një çejz i madh, i bujshëm dhe i qëndisur sa më mirë tregonte edhe pozicionim në shoqëri. Me grep punohej çdo detaj, prej peshqirëve deri te mbulesat.

Edhe në të dhënat më të vjetra dhe dokumentet më të lashta, siç është Kodi i Hamurabit në Babiloninë e lashtë, paja është përshkruar si një zakon tashmë ekzistues. Në Babiloni vajzat normalisht nuk trashëgonin asgjë nga pasuria e babait të tyre. Në vend të kësaj, me martesë, ato merrnin një prikë nga prindërit e tyre, e cila kishte për qëllim të ofronte sa më shumë siguri jetësore për nusen.

Burimi:
https://bit.ly/2TKA5fv

Në Greqinë antike, praktikë e zakonshme ishte të jepej një çmim për nusen.

Në dasmën tradicionale serbe, çejzi është pjesë e rëndësishme, megjithëse dikur ishte më e fortë se sot. Krushqit serbë në shumicën e rasteve janë të dekoruar me peshqirë, me lule dhe rozmarinë. Zbukurohen edhe veturat, njëjtë sikur dikur qerret e kuajve apo çejzat. [v]

Në Azerbajxhan, çejzit i thonë pikërisht çejz. Në shoqëritë si ajo e Taxhikistanit, e Marokos (ku çejzi quhet shura, shaëar, ssdaq ose amerëas – varësisht prej regjionit) e Bosnjës (çejzi titullohet oprema), apo edhe në Pakistan, çejzi ka rëndësinë e vet të pamohueshme dhe është pjesë që ruhet me xhelozi dhe praktikohet në dasmat e vendit. Në Nepal, për shkak të dhunës që lidhet me çejzin, çejzi është ndaluar me ligj.

Me leje nga Doruntina Ukimeri, ekspozita ‘Çejzi’

“Më vjen mirë që po flitet për çejzin në këtë shoqëri sepse kom mendu që është një temë më e mbyllur. Sot, vajza moderne megjithatë nuk ka nevojë për ndihmën as të familjes së saj as të familjes së burrit për të blerë diçka, ajo blen vetë çkado që dëshiron. Megjithatë, gjithmonë ka qenë si një ekspozitë e vajzës dhe ka gjeneruar edhe të holla, një aspekt që mua më pëlqen tej mase” tregon Doruntina Ukimeri.

“Vjehrra dhe kunatat janë të knaqna kur unë hala i përdori senet e çejzit. I përdori për Bajrama, për kanagjeqe, për fejesa, dimijat e jelekun. Përndryshe është mirë se e sheh vjehrra e kunatat që unë u shpenzova por edhe po i përdori këto gjana. Çejzi e ka hijeshinë e vet dhe kush është qejfli e respekton dhe e praktikon çejzin” tregon Bekrija.

( Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së )


[i] http://chwb.org/kosovo/wp-content/uploads/sites/3/2014/07/Publication_2006_3.pdf

[ii] Kanuni i Skanderbegut, Botim i Arqipeshkvisë së Shkodrës, Shkodër 1993; Kreu IV, artikulli IX, fq.29

[iii] https://gruppostudentescoalbanesemilosao.files.wordpress.com/2014/12/kanuni_i_leke_dukagjinit.pdf

[iv] https://rm.coe.int/CoERMPublicCommonSearchServices/DisplayDCTMContent?documentId=09000016806ae5ca&fbclid=IwAR2OGIopE2o_mO3xhNPSaD0Dxi_iUz2uJrqODfNOoQCC6VwRMJW1W7g94dI

[v] https://rm.coe.int/CoERMPublicCommonSearchServices/DisplayDCTMContent?documentId=09000016806ae5ca&fbclid=IwAR2OGIopE2o_mO3xhNPSaD0Dxi_iUz2uJrqODfNOoQCC6VwRMJW1W7g94dI

Të ngjajshme