Çfarë tha Papa me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut?

31 Korrik, 2018 - 7:00 pm

Një ndër Papët më me ndikim në historinë e krishtërimit ishte edhe Papa Pali VI i cili u bë i njohur për oratorinë dhe retorikën e tij të zhvilluar. Sa herë që flitej për njerëz të mëdhenj, ai jepte mendimin e tij dhe kështu bëri edhe me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Fjalimin e tij mund ta gjejmë duke kërkuar në arkivin online të Vatikanit, arkiv që është i publikuar për lexues nga e gjithë bota në faqen Vatican News. Kjo faqe në të cilën ka nëndarje në gjuhët kryesore të botës është edhe në shqip e pikërisht në këtë seksion, gjejmë fjalimin e tij, përkthyer e më pas përshtatur në gegnisht:

Bij fort të dashun Shqipëtarë!

Po Ju sjellim juve nji mirëseardhje të veçantë, mbasi qenkeni mbledhun për të kujtuem Pesëqindvjetoren e Gjergjit Kastriot Skanderbegut, fatosit të Kombit t’uej e të Krishtenimit, pranë kësajë Selije Apostullike, të cillën mund e njehni si shtëpinë t’uej.

Na po ju shohim me të kënaqun, sepse e diejmë se shpirti me të cillin ju e kujtoni ketë rasë âsht se asht shpirti i hershëm i fisit t’uej, i cilli gjith here përmi çdo interres ka vum vlerat e trashigueme të besës, të nderës e të burrnísë.

Të tilla virtyte i ka bam nji me vehten e vet fatosi Skanderbeg, e juve ju a ka lanun trashigim; bashk me lidhëninë e pandame me miqt e vjetër të Atdheut t’uej, ndër të cillët kjo Seli Apostullike gëzohet tue u radhitun, mbasi njehet ndër ata qi gjalën kurr nuk ju a luejtën.

Këto virtyte Gjergj Kastrioti ju i ka lanun amanet në Atdhe, edhe në kurbet e në mergim.

Mirë se historija ju ka pam të shtypum e të shpërndam, por dora e dashun e Hyjit ka bam qi ju e gjith gjaku i juej i shprishur, me gjallni qi keni me të lem, e me të njoftuna të fitueme, u bât urë miqasish e bashkpunimesh, ku keni dalun parardhësit e ekumenizmit modern.

Urimi i ynë në ketë rase, pra, për ju e për gjith Shqipëtarët, asht qi vujtja të bashkohet në ju përherë me shpirtin t’uej heroik qi keni nga të Parët e të ju japë resë të shërbeni porsi element bashkkuptimi e pagje mes fisesh e gjuhësh të çame ndër veti.

Do t’vërtetohet kështu testamendi i Skandërbeut, e do të shkëlqejë me meritime të reja Atdheu juej të cillin na e kemi kaq shum për zemër dhe e bekojmë me gjith shpirt./KultPlus.com

Të ngjajshme