“Cities of Peace” rikthehet në Prishtinë me “The Honor City Gratitude”

17 Tetor, 2018 - 9:00 pm

Projekti “Cities of Peace” e drejtuar nga Dr. Ellen Frank është rikthyer në Prishtinë për të zhvilluar “The Honor City Gratitude”, pasues i projektit bazë.

Përgjatë muajve maj dhe qershor 2018 në Muzeun e Kosovës kishte lindur piktura e derdhur në ari “Prishtina: The Flowering”, përmes së cilës shpërfaqet historia dhe ana kulturore e kryeqytetit të Kosovës. Ky projekt sjell në jetë historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë vuajtur nga konfliktet dhe traumat, dhe po ashtu lartëson rëndësinë e qyteteve dhe synon të parandalojë shkatërrimin e arritjeve kulturore të njerëzimit.

E më 12 shtator ka nisur “The Honor City Gratitude”, që mbështetet nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe Departamenti i Shtetit, që pikturën e “Prishtina: The Flowering” e risjell në pjesë të punuara në ari por në format më të vogël, shkruan koha.net.

Ky projekt që po realizohet nga Dr. Ellen Frank tani si specialiste e Programit Fulbright ka mbledhur në Muzeun e Kosovës artistë, edukatorë, dhe studiues të cilët deri më 24 tetor do të përfundojnë projektin “The Honor City Gratitude”.

Pjesëmarrësit janë duke punuar së bashku për të krijuar “mozaikun” e “Prishtina: The Flowering” me fletë ari.

Në fazën e dytë të “Cities of Peace” Prishtina është qyteti i parë në të cilin po implementohet “Qyteti i Nderit” që përmban gjithsej 10 punime.

Pikturat e fazës së dytë do të ekspozohen në mbarë botën së bashku me pikturat e shteteve të tjera të “Cities of Peace”. Ato do të prezantohen edhe në Muzeun e Kosovës, Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Zyrën e Presidentit, Zyrën e MKRS-së, Zyrën e Ministrisë së Arsimit, dhe MPJ-së etj.

Studentët do të marrin nga një shpërblim si drejtorë artistikë gjatë krijimit të punimeve nga “Global Institute for Arts and Leadership”.

Të fundit

Të ngjajshme