Spahiu: Ditëlindja e Adem Jasharit është falsifikuar

19 Gusht, 2018 - 12:43 pm

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu është duke këmbëngulur që ditëlindja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari është e falsifikuar.

Spahiu në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka thënë se posedon dokumente të cilat e vërtetojnë se Adem Jashari nuk ka lindur me datën 28.11.1955. Ai ka treguar se ditëlindja e tij e vërtet është 10.10.1955.

Sipas Spahiut, dokumentet të cilat janë duke u publikuar nuk janë relevante, ai thotë se të gjitha ato janë mashtrime të cilat janë bërë me fotoshop.

“Kam shumë dokumente të cilat tregojnë datën e saktë. Po që nga pas lufta në ato dokumentet kanë bërë ndryshime si kanë dashur. Ai dokumenti i vdekjes nuk është një dokument relevant, kurse dokumenti i Gjykatës është i falsifikuar, po shihet se është e ndryshuar me fotoshop, sepse nuk janë fontet njësoj, me makinë shkrimin nuk mundesh me shkru me fonte të ndryshme dhe numrat që janë të shënuar aty, ditëlindja e Ademit dhe numrat më poshtë në të njëjtin vendim të Gjykatës shihet se nuk janë njësoj”, ka thënë Spahiu për Insajderin.

Gjatë ditës së djeshme, Nexhmedin Spahiu kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte thënë se “kush është ai që e falsifikoi ditëlindjen e Adem Jasharit, nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955”.

“Duhet me u hi gazetave mbas 1998 e me gjetë kush është ai falsifikator i rrezikshëm e me e dënu. Sa më vjen inat që edhe vetë e kam hangër këtë mashtrim të paskrupullt e e kam përdorë në një shkrim timin, se nuk më shkonte mendja se dikush ka nevojë me rrejtë publikisht aq paskrupullt”, kishte shkruar Spahiu.

Pas këtij postimi, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nipi i ish-komandantit, Adem Jashari, kishte postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook se posedon dokumente me vulë institucionale për ditëlindjen e Adem Jasharit.

“Unë po e sjell një dokument që ka emër e mbiemër, vulë të institucionit, ka shënime dhe të dhëna, që mund t’i shërbejnë “ideatorin e kombit kosovar”, për t’u bindur se “të hëngrit” e mashtrimeve të kujtdo qofshin ato, i takojnë atij që i injoron faktet, e që në vend të tyre, ushqehet me të pavërteta”, kishte shkruar Jashari. / KultPlus.com

Të ngjajshme