13 Qershor, 2025 - 2:32 pm
Deputeti kanadez, Yvan Baker riprezantoi në Dhomën e Komunave projektligjin e tij si anëtar privat, i cili, nëse miratohet, do të shpallte muajin nëntor si Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në të gjithë Kanadanë.
Baker falënderoi deputetin Peter Fonseca për mbështetjen ndërsa, shprehu shpresën se të gjithë anëtarët e Dhomës së Komunave do ta mbështesin nismën.
“Sot, riparaqita projektligjin tim privat në Dhomën e Komunave, i cili, nëse miratohet, do ta caktojë muajin nëntor të çdo viti si Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në të gjithë Kanadanë!
Dua të falënderoj deputetin e Mississauga East—Cooksville, Peter Fonseca, për mbështetjen e këtij projektligji dhe shpresoj që të gjithë anëtarët e Dhomës do ta mbështesin atë”, u shpreh baker në një postim në rrjetet sociale.
“Kanadaja është shtëpia e shumë kanadezëve me prejardhje shqiptare. Kanadezët me prejardhje shqiptare kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë një gjurmë historike në Kanada, me kontribute që përfshijnë komunitetet në të gjithë vendin dhe reflektohen në jetën ekonomike, politike, sociale dhe kulturore të Kanadasë”, theksoi ai.
“Nëse miratohet, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare do të na jepte një mundësi të veçantë për të njohur kontributet që kanadezët me prejardhje shqiptare kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në Kanada”, shtoi Baker.
Nëse miratohet, Muaji i Trashëgimisë Shqiptare do të shërbente si një mundësi e veçantë për të njohur dhe vlerësuar kontributet e shqiptarëve në shoqërinë kanadeze.
Ruki Kondaj, Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada janë ndër mbështetësit e kësaj nisme./ KultPlus.com