Dëshmi antike e përpunimit të anijeve në portin e Durrësit

14 Janar, 2020 - 11:00 am

Në muzeun arkeologjik të Durrësit kohët e fundit është restauruar një enë me përmasa të mëdha krejtësisht e veçantë për transportin detar të verës.

Bashkë me rëndësinë historike të trashëgimisë kulturore “dolium”, siç emërtohet ena në latinisht, dëshmon për herë të parë se në portin e Durrësit 1800 vjet më parë përpunoheshin anije për tregtinë e verës së hapur, që lundronin në itinerarin mes Durrësit dhe porteve të tjerë në Francë, Spanjë dhe Itali.

Grupi i restauratorëve nën drejtimin e arkeologut nënujor Adrian Anastasi, i cili zbuloi reliktin e anijes së mbytur jo shumë larg brigjeve të qytetit, punoi më shumë se një vit, fillimisht për shkripëzimin dhe më pas për konsolidimin e 296 pjesëve të enës, që u gjet e copëtuar nën det.

Anijet e specializuara të këtij lloji për transportin e verës së hapur janë quajtur edhe  “anije çisterna” – tha Dr. Adrian Anastasi për Autoritetin Portual Durrës. Në pjesën qendrore të hambareve të tyre ato kishin të sistemuara enë të përmasave të mëdha, “doli”, me një kapacitet mbajtës prej 2.000 litra secila. Bashkë me to, në pjesët e lira të hambarit, kryesisht në kiç dhe në bash sistemoheshin edhe amfora të zakonshme. Këto tipologji anijesh kërkonin edhe porte të specializuar për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre.

“Relikti i zbuluar dëshmon që porti i Dyrrahut i kishte këto struktura përpunuese, pra ishte në kuptimin e plotë një port i rëndësishëm”, -thekson dr. Adrian Anastasi, punonjës shkencor në Institutin e Arkeologjisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme