Deutsche Welle për Shqipërinë turistike: Pushime verore në mes të Evropës

10 Gusht, 2017 - 11:43 am

Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në rrjetin social Facebook një shkrim të Deutsche Welle-s për Shqipërinë turistike, përcjellë KultPlus.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të radhës për Shqipërinë, si destinacioni turistik i vitit në Europë”, shkruan kryeministri Rama.

Shkrimi i publikuar në DW:

„Jo Antibes, por Drimadhë“ – Pushime verore në mes të Evropës

Greqia, Spanja e Italia ishin dje. Destinacioni në fakt aspak i ri i pushimeve verore sivjet është Shqipëria, më saktë Jugu i saj. Sonila Sand tregon përse.

Ndonëse në Gjermani vera si stinë le përherë për të dëshiruar, në shumë pjesë të tjera të Evropës e sidomos në Jug të saj temperaturat e këtyre ditëve kalojnë në 40 gradë celsius. Por për fat të mirë shumë vende jugore shtrihen buzë detit dhe ofrojnë gjire të fshehur pas malesh dhe të rrethuar nga ujë i gjelbër i kristaltë, i cili ndonëse i qetë dhe i shndritshëm, mbahet si nën kontroll në të dyja anët nga shkëmbinj të vegjël e shterpë, por disi kryeneçë.

Të tilla pejsazhe gjenden në jug të Francës, në Sardenjë, në Korsikë dhe në jug të Shqipërisë. Madje në këtë të fundit rruga nga kryeqyteti drejt Jugut është shpesh qëllimi. Pamjet marramendëse që ofrohen pas kalimit të Qafës së Llogarasë janë pastaj shpërblimi, si një bonbon ekstra që udhëtari e shijon me shumë dëshirë e nge.

400 kilometër vijë bregdetare, vende të fshehura e qytete të mëdha, plazhe me festivale ndërkombëtare elektronike si „Turtle Fest”, që sapo u mbajt në Drimadhë, fshatra turistike për familjarë pranë Dhërmiut, plazhe hip për rininë më të përkëdhelur nga fati se shumica e shqiptarëve ndodhen në Jalë. Dhe të gjitha këto vende janë plot me njerëz këto ditë të nxehta gushti. Grupe të rinjsh shqiptarë, “backpackers” francezë e gjermanë, familje italiane e spanjolle me fëmijë të vegjël. E gjitha një përzierje e këndshme njerëzish që kalojnë pushimet buzë detit në mes të Evropës.

Restorantet shpesh rrëzë shkëmbinjve ofrojnë ushqime të mrekullueshme për çdo lloj shijeje. Shërbimi është i sjellshëm, shumëgjuhësh dhe plot vetëbesim. Shumica e stafit të personelit janë studentë, që marrin një rrogë shumë modeste gjatë pushimeve verore. Si Ilirjani, i cili punon si kamerier sezonal në Hotel Marina Palace, në Drimadhë. „Studioj veterinari në Tiranë”, tregon 20 vjeçari. „Muajt e verës vendosa të punoj këtu”. „Nuk është vendim që duhet menduar shumë.”, shton Evi, e cila punon në recepsionin e hotelit dhe studion gjermanistikë në kryeqytet. „Kur e di se sa shumë më nxehtë është në Tiranë, vij më mirë dhe punoj këtu”, buzëqesh ajo. Sigurisht që të dy kanë të drejtë. Pamja spektakolare e detit pafundësisht të kaltër shpeshherë vezullues që ofron tarraca në të cilin ndodhet restoranti i hotelit dhe ku Ilirjani dhe kolegët e tij shërbejnë pushuesit, është shpesh një bonus i mirëpritur për të gjitha palët.

Edhe shtypi ndërkombëtar e ka zbuluar prej disa vitesh tashmë bukurinë ende të virgjër të Jugut, i cili mbante deri para pak vitesh vetëm për shqiptarët detin e mrekullueshëm si thesar të fshehur pas malesh krenarë, që duket sikur mezi i tolerojnë rrugët e ngushta për makinat. Dhe pikërisht për këtë thesar shkruajnë Lonely Planet, National Geografic e deri New York Times dhe inkurajonë lexuesit e tyre ta marrin rrugën për atje, me premtimin se çfarë do të gjejnë kur të arrijnë, do të jetë shpërblimi më i majmë që mund të marrë çdo turist individual që dëshiron t´u rrijë larg masave të pushuesve.
Dhe ky premtim nuk duket aspak i ekzagjeruar kur ndodhesh atje, në mes të Evropës, rrethuar mes pyjesh, malesh, detit që shkrihet në horizont me qiellin që mban ekzakt të njëjtën nuancë si ngjyra e detit që e përkëdhel dhe njerëz të qetë, që pushojnë miqësisht pranë njeri-tjetrit.

Të tilla pejsazhe gjenden në Jug të Francës, në Sardenjë, në Korsikë dhe në Jug të Shqipërisë. Në këtë të fundit unë i gjeta të gjitha vendet e sapopërmendura në një, duke kaluar pushime siç duhet të jenë ato. /KultPlus.com

Të ngjajshme