Dibrani që u bë filozof i madh i Turqisë

18 Korrik, 2017 - 1:34 pm

Shkollimin fillor e bëri në Aleancën Izraelite në Izmir. Mësoi dhe pak në gjimnazin Gallatasarai të Stambollit. Kur kryente studimet e larta në Mylkiye më 1888, u përjashtua nga fakulteti për motivin se lexonte vjersha e shkrime liridashëse, përparimtare të Namik Qemalit. Më pas kaloi në fakultetin e mjekësisë dhe mezi u diplomua, se ishte një shpirt rebel.

Për shak se kishte vizituar Ismail Qemal Vlorën në Stamboll, provoi dhe burgun e sulltan Abdylhamitit.
Dr. Riza Tevliku që punonte si mjek në zyrën e doganës, që në rini të tij u mor me aktivitet letrar, kulturor, thurte poema popullore, shkruante artikuj letrarë e kritikë, duke i botuar në revistat e asaj kohe si “Serveti Funun”, “Malumat”, “Peyami Ati”, etj.

Regjimi tiranik i sulltan Abdylhamitit e detyroi Riza Tevfikun të bashkëpunojë me xhonturqit që vepronin ilegalisht. Më 1908 u zgjodh deputet i Edrenesë, mbante fjalime të zjarrta për demokracinë shumë partiake. Por shpejt u prish me Partinë “Bashkim-Përparim” që kishte zënë një rrugë hipokrite. Më 1911 mori pjesë në partinë liberale-përparimtare demokratike “Hyrriyet ve Ittihat” (Bashkim e Liri), ku bënte pjesë edhe I. Q. Vlora. Dr. R. Tevfiku njëkohësisht dha mësime edhe në shkollën amerikane “Robert Kolezh” të Stambollit. Gjithashtu jepte leksione në shumë disiplina shkencore e letrare në Universitetin e Stambollit.

Gjatë jetës ai bëri një gabim të madh-nënshkroi si delegat i qeverisë kukull të Stambollit të Damat Ferid Pashës, Marrëveshjen e Sevreit, e cila përbënte vdekjen e shtetit Osman. Ndaj kësaj marrëveshje u protestua ashpër nga rinia turke dhe ai dha dorëheqjen edhe si profesor i Universitetit dhe si ministër i arsimit.

Dr. R. Tefviku ishte shumë i zgjuar, por me nënshkrimin e Sevreit bëri një gabim që nuk falej, se ajo marrëveshje nuk shfaroste vetëm dinastitë osmane, por copëtonte dhe tokat amtare të turqve të pafajshëm.

Një profesor i letërsisë turke, Ismail Habib, shkruan: “Dr Teviku ka shumë merita letrare, mjekësore, filozofike, kulturore, poetike, folklorike, politike, diplomatike, psiko-sociale, historike, botëkuptimore, elokuente, etj. Gjithë këto cilësi, të ishte e mundur të përziheshin në një kazan, do të dilte vetëm një aliazh: poezia lirike popullore e nivelit të lartë e Riza Tevfikut”.

Ai ishte shkrimtari i parë që bëri të njohur folklorin në një studim të gjatë, të botuar në revistën “Pejam Edebi”, 1913, ku dr Tevfiku nuk e mohon origjinën e tij. Në një vjershë ai thotë:
…Kushdo që ka dëshirë ta dijë, babanë e kam shqiptar dhe nënën çerkeze…

Doktor Tefviku sado që nuk pati lidhje efektive me autonomistët shqiptarë ai gjithmonë u interesua për kulturën shqiptare, përkrahu pavarësinë e Shqipërisë.

Botoi shkrime dhe studime turqisht në shtypin shqiptar si tek “Shqiptari” që botohej prej patriotit Dervish Hima në Stamboll. Në librin e përvitshëm “Almanak” ai ka botuar një studim serioz për shqiptarin e madh Hoxhë Hasan Tahsinin.

Siç u përmend shkarazi më sipër Dr Riza Tevfiku më 1918 në kabinetin e Damat Ferit Pashës u bë ministër i arsimit dhe mjerisht mori pjesë si përfaqësues i sadrazemit Ferit Pasha më 10 gusht 1918 në Konferencën e Paqes, të mbajtur në Sevrei dhe nënshkroi marrrëveshjen famëkeqe me të cilën Turqia e Anadolli copëtohej mes grekërve, italianëve, francezëve, anglezëve, etj.

Turqit atdhetarë këtë vendim e hodhën poshtë. Mustafa Qemal Ataturku duke zbritur në Samsun më 19 maj 1919 me 19 gjeneralë patriotë hodhi kushtrimin për çlirimin e Atdheut dhe pasi dëboi të gjithë armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, më 23 tetor 1923 shpalli republikën e Turqisë. Ndër 150 të përzënët jashtë atdheut bënte pjesë dhe Dr. Riza Tevfik.

Ky poet i madh u vendos në Liban dhe gabimin e tij të madh e pranoi në krijimtarinë e tij. Më 1938 Mustafa Qemal Ataturku mëshirmadh, tradhëtarët dritshkurtër, i fali. Dr Rizai mjaft i lodhur dhe i moshuar u kthye në Turqi dhe deri më 31 dhjetor 1949 jetoi në Stamboll. Vitet e fundit botoi shumë kujtime dhe mbajti mjaft ligjërata.

Ai shkruajti shumë vepra të njohura ndër të cilat “Mësimet e filozofisë”, “Fjalori i plotë filozofik”, Një kritikë filozofike për poetin Abdylhakhamit Tarhan, “Rubairat e Omer Khajanit” etj.
Për të janë hartuar e botuar mjaft monografi dhe antologji poetike me kritika pozitive.
(Shqiptarët në Perandorinë Osmane)

Të fundit

Të ngjajshme