“Disa e dëgjojnë Marko Gjuriqin, e disa të tjerë Saranda Bogujevcin”

27 Mars, 2018 - 5:15 pm

Saranda Bogujevci, një prej të shpëtuarave të luftës në Kosovë, mbrëmë ka qenë e ftuar në një debat në Beograd, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.

Menjëherë pas debatit, Goran Miletic – Drejtor për Evropë i Civil Rights Defenders, organizatë kjo që punon për të drejtat e njeriut në mbarë Evropën dhe me fokus në Ballkan, ka shkruar disa rreshta rreth ngjarjes së mbrëmshme që ‘përplasi’ para syve të Beogradit edhe njëherë mizoritë që ndodhën në Kosovë para 19 vitesh.

“Disa kanë dëgjuar e parë sot Marko Gjuriqin, e të tjerët tregimin e Saranda Bogujevcit në CZKD. Serbia do të bëhet vend më i mirë nëse secili qytetar do ta dëgjojë këtë tregim të Sarandës, cfarë i ka ndodhur asaj dhe familjes së saj” ka shkruar Miletic, përcjellë KultPlus.

Bogujevci mbrëmë ka rrëfyer përsëri vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar para 19 vitesh, kur si 13 vjecare ajo i shpëtoi serbëve.

Kujtojmë se para disa vitesh, Saranda pati hapur një ekspozitë në Beograd, ekspozitë kjo e cila u përfol shumë asokohe pasi arriti që të përcillej edhe nga zyrtarë serbë të cilët deri asokohe refuzonin të dëgjonin e shihnin krimet e Serbisë në Kosovë.

Kanë qenë të shumta reagimet rreth tregimit të Sarandës në Beograd, në rrjete sociale, nga mendje-ngushtët e Serbisë por edhe nga ata që kanë ecur përpara dhe e kanë kuptuar realitetin e dy dekadave më parë. / KultPlus.com

Të ngjajshme