Ditët e ftohta të Migjenit edhe sot në Pukë, mbulohet nga bora bashkë me nxënësin e tij

5 Janar, 2019 - 7:25 pm

Nga Alma Nikolli.

Kur mësues Migjeni u nis me dhanë mësim në Pukë ishte prilli i vitit 1936. Ishte pranverë. Stina kur çelin lulet. Por në Pukë dimri nuk mbaron në Pranverë, ka ndodhë që dëbora i zbardh malet edhe në maj. Në Pukë dimri nuk mbaron as në verë. Dielli shndrit, por zemrat janë të ftohta. Varfëria ende është siç e përshkruante poeti i madh dikur.Ndoshta të vegjlit nuk janë më teshashqyer si nxënësi i Migjenit dikur, por janë ëndrra arnuar. Qyteti asht i bukur por nuk të jep me hangër, le ma me qenë i lirë… me qenë sikur do kishte dashtë mësues Migjeni. Si çdo qytet tjetër po e braktisin, siç kam ba edhe unë para shumë vitesh.Në ditët e fundit të këtij vitit, “News 24” tregoi historinë e një familjeje të varfër në Pukë. Katër vogëlushe sy shkruara, të bukura si lulet ngjyra-ngjyra që mbushin livadhet e Pukës në Pranverë, shikonin të atin teksa qante për varfërinë që u dhuroi edhe këtë fundvit që shkoi.

E të gjitha këto, mësues Migjeni ndoshta edhe i sheh, teksa qëndron mendueshëm me nxënësin në prehër. Migjeni përjetësisht poet i mjerimit, e nxënësi përjetësisht tesha shqyer. Kjo është statuja e përjetësuar në Pukë, statuja që flet pa folë, se ende gjallon, statuja që në dimën ka ftohtë.E meqë në këto ditë të ftohta pak kush menon me ja ngrohë zemrën Migjenit, duke i thanë që Luli i tij i vocërr nuk ka ma shokë, natyra ban të vetën. “Thur” një plis të bardhë borë për Migjenin e një për nxënësin tesha shqyer. Një fotografi trishtueshmërisht e bukur!*Fotografia e publikuar nga “Puka Albania” ./ KultPlus.com

Të ngjajshme