Ditët Europiane të Trashëgimisë kulmojnë me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

26 Shtator, 2023 - 11:05 am

Java e fundit e muajit shtator, shënon edhe fillimin e “European Heritage Days”, Ditët Europiane të Trashëgimisë, e cila kulmon me “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, më 29 shtator.

Si çdo vit, kjo nismë e hershme e vitit 1985 e Këshillit të Europës, e cila celebrohet gjerësisht në rreth 50 vende te Europës, tashmë është shndërruar në një aksion të përbashkët të të gjithë aktorëve të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet realizimit të aktiviteteve kulturore në monumente, parqe arkeologjike, muze e galeri.

Tema e përbashkët e lançuar nga Këshilli Europian, për vitin 2023, është Living Heritage (Trashëgimia e gjallë).

Living Heritage i referohet praktikave, dijebërjes dhe aftësive të trashëguara brez pas brezi dhe të sjella deri në ditët tona. Tërësia e aftësive, zanateve dhe profesioneve shërbejnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë nga brezi në brez në mënyra të ndryshme. Tema e vitit 2023 mundëson evidentimin e punës që mban gjallë trashëgiminë në ditët e sotme, falë njerëzve që transmetuan dijebërjen dhe siguruan vazhdimësinë e saj. Tërësia e aftësive, praktikave si edhe mënyra e transmetimit të tyre pasqyrojnë identitetin dhe vazhdimësinë, një proces i cili është në lëvizje të përhershme.

Trajtimi i temës së trashëgimisë së gjallë, krijon mundësinë e eksplorimit thellësisht duke promovuar diversitetin kulturor dhe kreativitetin. Në kuadër të kësaj teme, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, organizon një sërë aktivitetesh me nxënësit e shkollave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, të cilat do të finalizohen, me aktivitetin “Zeje – Avaze – Polifoni – Kulinari”, aktivitet i cili vjen falë bashkëpunimit me Bashkinë Selenicë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme