Drejtori i Muzeut të Krujës për ATSH: Fluks turistësh nga Europa dhe SHBA

5 Maj, 2022 - 12:00 pm

Mbi 8 mijë vizitorë vizituan gjatë muajve janar-prill të këtij viti Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik në Krujë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se në katër muajt e parë të vitit këta dy muze u vizituan nga 8666 vizitorë, nga të cilët 3780 janë të huaj”.

“Turistët e huaj janë kryesisht nga Evropa Perëndimore, si Polonia, Sllovenia etj, si dhe nga Shtetet e bashkuara të Amerikës. Një numër të lartë kanë shënuar edhe nxënësit e shkollave të Shqipërisë dhe Kosovës”, theksoi Hafizi.

Sipas tij, këto janë shifra optimiste për një sezon të mirë turistik në vendin tonë.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë Hafizi u shpreh se “kjo shifër tregon dyfishin e vizitorëve të të njëjtës periudhë të vitit 2021, trefishin e vizitorëve të të njëjtës periudhë të vitit 2020. Pra jemi shumë pranë numrit të vizitorëve të të njëjtës periudhë të vitit 2019, vitit më të mirë turistik në Shqipëri”.

Hafizi tha se “që prej muajit prill muzeu Etnografik i është nënshtruar rikonstruksionit dhe do të jetë gati në tetor për të pritur turistët”.

Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri. Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga qytetet më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas Pazarit, Muzeut Historik dhe Etnografik, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / KultPlus.com

Të ngjajshme