DRTK Berat rikthen elementët tradicionalë në fasadën e Kishës së Sinjës

2 Maj, 2025 - 4:14 pm

Kisha e Shën Marisë, në Sinjë të Beratit, është Monument Kulture i Kategorisë I, prej vitit 2015.

Arkitektura e saj nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje.

Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tre krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon shkëmbi natyror pranë.

Ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë: tri dritare gjatësore prej druri me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër.

Specialistët e mirëmbajtjes së DRTK Berat kanë ndërhyrë duke bërë zbërthimin e kangjellave metalike që ishin vendosur në dritare. Në vend të tyre u vendosën kapakët tradicionalë prej druri. Kapakët u trajtuan me vaj lini për mbrojtje ndaj kushteve atmosferike dhe për të ruajtur pamjen natyrale të drurit.

Ndërhyrja e kryer ka si qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe kthimin e elementëve orgjinalë të objektit Monument Kulture.

Hyrja kryesore e kishës së Sinjës ndodhet në anën lindore njëflegërshe me hapje nga brenda po prej druri, duke u paraprirë nga një derë prej hekuri. Në anën jugore ndodhet një portë dyflegërshe e bllokuar nga brenda me një mur dhe jofunksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë, duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit.

Hapësira e brendshme e kishës është e vogël dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor./ KultPlus.com

Të ngjajshme