Drunjtë në Pejë shkatërrohen duke përdorur thartirë, reagon Kryetari i Komunës

20 Mars, 2019 - 11:00 pm

Qytetarët e Pejës kanë reaguar ndaj shkatërrimit të drunjve afër Shtëpisë së Mallrave në Pejë pasi që përreth tyre është derdhur thartirë e cila shkakton tharjen.

Një qytetar nga Peja, Xhevdet Belegu i cili ka ndarë me miqtë e tij një video e ka quajtur këtë akt vandal, e njëherësh ka bërë thirrje drejtuar komunës dhe policisë.

Të shumta kanë qenë edhe reagimet e qytetarëve të tjerë të cilët e kanë konsideruar këtë akt vandalizëm. 

Ndaj këtij veprimi ka reaguar edhe Komuna e Pejës e cila e ka konsideruar këtë gjest të pandërgjegjshëm dhe shqetësues.

“Ky gjest i pandërgjegjshëm na ka shqetësuar shumë! Gjest që nuk durohet dhe është i dënueshëm! Veprime të tilla kundër ambientit janë të papranueshme! Kryetari z.Muhaxheri me të mësuar për këtë akt të ulët ka angazhuar inspektorët që të marrin masa dhe të identifikojnë keqbërësin! Mbesim të përkushtuar për ta mbrojtur mjedisin, por kjo arrihet nëse kemi bashkëpunimin e qytetarëve!”, thuhet në njoftimin e Komunës në Facebook./ KultPlus.com

Të ngjajshme