Dumoshi prezanton planet e menaxhimit të Qendrës Historike dhe Kalasë së Prizrenit

17 Dhjetor, 2020 - 4:12 pm

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka bërë prezantimin e planeve të menaxhimit të Qendrës historike në Prizren dhe Kalasë së Prizrenit.

Me këtë rast Ministrja Vlora Dumoshi tha se Muzeu Kombëtar i Kosovës edhe në këtë kohë pandemie mbetet nga institucionet që po na bën bashkë për aktivitete të ndryshme.

“Sot jemi së bashku për të miratuar dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Prizrenit.” tha ministrja Dumoshi.

“E veçantë e këtij procesi është gjithëpërfshirja dhe transparenca e bartësve të këtyre proceseve që të dyja të hartuara nga organizatat jo qeveritare më përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore Organizata Ec më ndryshe dhe Organizata e CHwB Kosova të kombinuara e mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet varëse të saj. Pavarësisht sfidave kanë bërë një punë të shkëlqyer.” – tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu ministrja Dumoshi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e Amerikës në Kosovë dhe misionin e OSBE-së në Kosovë të e cilat po përkrahin vazhdimisht projektet e MKRS-së.

“Qendra historike e Prizrenit vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë. Është hartuar projekti për ndërtesën e ish-burgut në Prizren dhe jemi në procedurë përfundimtare për disa projekte në Prizren. Ne do të angazhohemi edhe në finalizimin e memorandumit për ndërtimin e muzeut të filigranit,” tha ministrja ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

 Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me këtë rast tha është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sot është ngjarje e veçantë meqë me anë të këtyre dy planeve ë menaxhimit, atij të Qendrës historike të Prizrenit dhe atij të Kalasë së Prizrenit po mundësohet ruajtja e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm” – tha Kryeministri. / KultPlus.com

Të ngjajshme