Dy kolosët e valles shqiptare, Çeliku e Cingu marrin dekoratën ‘Nderi i Kombit’

8 Janar, 2018 - 3:34 pm

Presidenti i Republikës Ilir Meta, dekoron Rexhep Çelikun dhe Liljana Cingun, dy kolosët e valles shqiptare popullore me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Në një ceremoni në presidencë, kreu i shtetit vlerësoi artistët e shquar të valles dhe kulturës shqiptare.

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’ dy valltarët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu për kontributin ndër vite.

Valltarët Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, kanë falënderuar Metën për dekoratën, ndërsa e kanë cilësuar si një vlerësim për të gjithë trupën.
“Falënderoj Presidentin për dekoratën. Është një gjë shumë e vlefshme, jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin që kemi punuar”, u shpreh Çeliku.

Meta i cilësoi si dy artistë të jashtëzakonshëm.
“Dua të falënderoj dy artistët tanë të jashtëzakonshëm, e lartësojnë këtë dekoratë. Dua t’i kujtoj ansamblit që ka mjaft punë këtë vit të ‘Skënderbeut’ si brenda dhe jashtë vendit”, përfundoi kreu i shtetit.
Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu, janë dy valltarë të njohur të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore./ KultPlus.com

Të ngjajshme