Ekskluzive: Fituesja e çmimeve Emmy realizon dokumentar për Kosovën, KultPlus ju sjellë detajet

6 Maj, 2019 - 4:32 pm

Alberina Haxhijaj

Fituesja e dy çmimeve Emmy, Ashley Colburn, ka qëndruar në Kosovë për pesë ditë. KultPlus gjatë kohës sa ajo ishte në Kosovë ka biseduar me të për të mësuar më shumë për dokumentarin për Kosovën të cilin është duke e realizuar e që do të shfaqet në disa rrjete televizive.

Ashley Colburn është rritur e rrethuar me suvenire të cilat i ka marrë si dhurata nga gjyshi dhe gjyshja e saj, dy persona të pasionuar pas udhëtimeve të cilët çdo herë pasi që janë kthyer nga udhëtimet i kanë sjellë diçka edhe mbesës së tyre. Ashley është rritur duke dëgjuar rrëfimet e tyre për vende të cilat ata i kanë vizituar, histori mistike dhe intriguese për një fëmijë.  “Ata kanë vizituar më shumë vende sesa unë”, tregon Colburn për të cilën Kosova është vendi i 61-të që viziton.

Mirëpo dëshira e saj e madhe për të udhëtuar nuk erdhi vetëm nga gjyshërit. Colburn, një amerikane e cila tashëm jeton në Kroaci thotë se fakti që ka studiuar në Spanjë e ka bërë të kuptojë mundësinë që ofron Evropa, një kontinent me vende të ndryshme por që janë afër njëri-tjetrit e që presin për tu eksploruar. Mirëpo përtej kësaj, Ashley Colburn ishte shumë me fat. “Mund ta imagjinoni si do të ishte nëse në punën tuaj të parë ju ofrohet mundësia që ta vizitoni botën”, thekson Colburn duke theksuar se pikërisht kjo mundësi i kishte ardhur asaj pasi që kishte diplomuar në Colorado State University për Gazetari dhe Gjuhë Spanjolle.

Ashley Colburn gjatë qëndrimit në Kosovë

Pasi që fitoi punën e saj të parë, si spikere, producente dhe skenariste për Wealth TV, në vitin 2009, ajo ju përvesh punës për të sjellë emisionin e saj të parë “WOW Croatia!” i cili edhe i solli çmimin e parë Emmmy në vitin 2010. “Isha shumë e lumtur që isha e nominuar dhe nuk e prisja që do të fitoja pasi që ishte emisioni im i parë. Isha vetvetja, në një vend të ri dhe duke bërë punën që e doja dhe në mënyrën që dëshiroja, mendoj që pikërisht kjo është vënë re”, theksoi Colburn.

Pas kësaj Ashley Colburn filloi emisionin e saj “TAKEOFF with Ashley Colburn”, dhe pas dy viteve filmim në 25 vende të ndryshme, Colburn vendos që ka ardhur koha që të bëjë diçka për veten e saj dhe kështu fillon produksionin e saj qëllimi i të cili është “Të gjejë mrekullitë e botë. Njerëz të mrekullueshëm. Kultura të mrekullueshme. Histori të mrekullueshme”.

“Emisioni TAKEOFF with Ashley Colburn ishte 30 minuta dhe kjo nuk ishte e mjaftueshme kështu që gjëja e parë që dëshirova që të bëja ishte që të bëja diçka me të gjatë dhe ta ndaja në disa episode dhe kështu fillova programin ‘Wonders’”, theksoi Colburn për KultPlus. Ajo me punën e saj në vitin 2012 me emisionin “Wonders of the Worls: Machu Picchu”, rrëmbeu çmimin e dytë Emmy.

Mimoza Ymeri dhe Ashley Colbur

Kosova pjesë e serisë televizive “Përmes syve të saj”

Duke jetuar në Kroaci, Ashley Colburn kishte dëgjuar për Kosovën mirëpo nuk kishte shumë njohuri për këtë vend të cilin e ka bërë pjesë të serisë televizive të titulluar “Through her eyes” në të cilin hyjnë vende ku jeta e vendasve është e ‘jashtëzakonshme dhe në ekstrem’.

Kjo seri televizive do i ketë 13 episode përmes të cilave Ashley Colburn e shoqëruar nga një grua vendase do të eksplorojë vendin në të cilin ato jetojnë dhe mënyrën e tyre të jetesës. Në Kosovë ajo është shoqëruar nga Mimoza Ymeri, e cila është psikologe dhe merret me joga. Ymeri dhe Colburn së bashku kanë vizituar Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin dhe Pejën. Kanë provuar kajaking në Nashec (Prizren), zipline në Rugovë (Pejë) si dhe kanë veshur kostume tradicionale në Gjakovë.

“Në këtë seri televizive do të kem gjithçka, duke filluar nga një grup hebrenj në Izrael, të një fisi në Kenya, pastaj do kem dikë që ka gjak mbretëror në Francë që do me tregoj për festat me qaj dhe si është gjithë ajo eksperiencë sot. Pastaj një fis tjetër në Kanadë, Kosovën, pra jetë mjaft ekstreme. E në fund do të jetë shumë interesante të shohim sesa të njëjtë jemi të gjithë pasi që diçka që kam vënë re duke biseduar me gratë gjatë kësaj kohë është që po prisja që gjërat të jenë më të jashtëzakonshme më ekstreme gjersa i kam gjetur këto gra, mirëpo në fund të ditës e kam kuptuar se njerëzit janë me të relaksuar sot sesa mund t’i mendosh, dhe jetët e tyre nuk janë aq intensive sa i ke menduar”, tha ajo për KultPlus.

Ashley Colburn theksoi se veçantia e dokumentareve të saj është se ajo bënë pyetjet që çdo udhëtar do i bënte. Sipas saj njerëzit nuk i dinë të gjitha dhe pika kryesore e udhëtimeve është që të mësojnë gjëra të reja. Ajo thekson se duke qenë vetvetja dhe duke qenë reale ju ofron mundësinë edhe shikuesve nga shtëpia që të lidhen me shumë me atë që shfaqet.

“Njëlloj është edhe me ketë emision. Përderisa udhëtoj nëpër Kosovë i bëjë pyetje Mimit (Mimoza Ymerit) pasi që mendoj se njerëzit gjatë emisionit do të kenë mundësi që ta njohin atë dhe njëkohësisht të mësojnë sesi është këtu. ‘Në rregull ju thoni se jeni myslimane, mirëpo nuk jeni e mbuluar?’, nëse e pyes Mimin për këtë do mund të vë në pah se edhe praktikimi i religjionit ndryshon nëpër vende. Pra tregoj më shumë për vendin përmes vetes por edhe Mimit”, tha Colburn gjersa theksoi se ajo që e ka habitur më së shumti në Kosovë është dashuria ndaj amerikanëve.

Mimoza Ymeri dhe Ashley Colbur

Një jetë e tërë duke udhëtuar

Mirëpo, përkundër të gjitha ndryshimeve që Colburn do të vë në pah në këtë seri të re televizive ajo beson se në fund të gjithë jemi të njëjtë.

“Në fund të ditës të gjithë hamë, pimë, flemë, dashurojmë dhe besojmë në diçka, pa marrë parasysh se nga cili vend i botës jemi”, thekson ajo duke shtuar se gjersa udhëtoni është e rëndësishme që të mos krijoni pritshmëri për një vend të caktuar dhe thjeshtë të ndiqni rrjedhën, pasi që kështu do të befasoheni nga ajo që do të përjetoni.

“Për mua udhëtimi është bërë një mënyrë e jetesës. Edhe nëse nuk jam duke udhëtuar për punë, unë përsëri jam duke udhëtuar. Më pëlqen të them se ndjehem më rehat në momentet kur nuk jam rehat. Për mua të jetoja në Amerikë ku gjithçka që të nevojitet ishte në prag të derës, ishte monotone. Mua më pëlqen fakti se mund të humbas, më duhet të pyes njerëzit, kështu e kupton si është bota me të vërtetë dhe kjo është gjëja më përmbushëse. Pra, jo vetëm që të shihnin pjesën më të bukur por edhe të jetoni dhe të mësonin sesi është jeta në atë vend”, theksoi Ashley Colburn.

Sigurisht disa njerëz nuk do e dëshironin këtë punë, pasi që dëshirojnë një komoditet, do ishte i bezdisshëm për ta të provonin çdo herë ushqime të reja apo të udhëtonin nga një vend në tjetrin dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo Ashley Colburn nuk është në mesin e tyre. Në momentin që ju e lexoni këtë artikull me shumë mundësi ajo do të jetë duke eksploruar një vend të ri./KultPlus.com

Ashley Colburn gjatë qëndrimit në Kosovë

Realizimi i emisionit për Kosovën u mbështet nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe implementohet nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest.

Të ngjajshme