займ на карту онлайн потребительский кредит

“ELIDA”, ëmbëltorja që nuk dëshiron t’ia di për vitet [foto]

6 Prill, 2019 - 8:42 pm

Në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, për 41 vjet ka ndryshuar pothuajse gjithçka. Rrugët, ndërtesat, fasadat, lagjet, fryma, ecjet, lëvizjet, njerëzit. Gjithçka ka ndryshuar edhe në ndërtesat e vjetra të socializmit që ende janë njëfarë identiteti ikonik i qytetit. Dikur krejt afër Shtëpisë së Armatës, përkrah “SUP”-it, e pas Hotel Grandit, ishte Qendra e Sportit dhe Rinisë “Boro e Ramizi”. Është ende, por e shkatërruar dhe ndryshuar. Vetëm një gjë s’ka ndërruar aty. Ëmblëtore “Elida”.

Shkruan: Agnesa Sejdiu

Kjo ëmbëltore e cila karakterizohet me pothuajse të njëjtin imazh që nga dita kur është hapur, mban mbi supe kujtesë kolektive, aty tullumbat apo “indijankat” hahen njëjtë nga tre-ktër breza të një familje.

“Elida” është hapur në vitin 1978, dhe është një ndër të paktat kafene që në këtë qytet kaosi, i kanë mbijetuar kohës. Atëbotë dyshemenë e Elidës e kishte shkelur pothuajse çdo ditë, presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, së bashku me plotë shokë të tij.

Por, Rugova nuk ishte nga VIP-at e parë të “Elidës”. Para tij gjurmë të pashlyeshme, sa të ekzistojë kjo ëmbëltore, ka lënë Mahmut Bakalli, ish-udhëheqës i Kosovës në Jugosllavi. Jarania e Bakallit me të parët e kësaj ëmbëltore që kishin shetitur nga Tetova nëpër Jugosllavi, kishte bërë që ata të zënë vend këtu. Por, emri i kësaj ëmbëltore u vu kështu, sepse vajza e Mahmut Bakallit e kishte këtë emër, thonë për Ndërtimi.info, sot pasëardhësit e themeluesve të ëmbëltores.

Kjo ëmbëltore u hap pak kohë pas hapjes së qendrës tregtare nën Pallatin e Rinisë dhe Sportit “Boro dhe Ramizi”. Ishte padyshim atraksion i kohës dhe ishte po ajo kohë kur Kosova morri një hov. Ishte po ajo kohë kur u lëshua në funksion edhe Hotel Grandi.

Fotografi nga dita e përurimit të Qendrës Tregtare “Boro dhe Ramizi”, e para e këtij lloji në Kosovë. 

Ky vend në të katër anët, ngërthen me mijëra kujtime të njerëzve, e sidomos të moshuarve dhe atyre që arrijnë ta kujtojnë atë qysh nga hapja e saj. Plot kalojnë pragun e saj në qetësi, zënë një vend, shflejtojnë gazetën duke pirë kafe, tipike “old school”, çka për një të ri mund të ngjasojë në një tip filmi amerikan bardhë e zi. Ka edhe prej atyre që lexojnë lajmet në telefon, edhe disa që mblidhen për të llafosur e qeshur.

E rrethuar nga qelqi në dy anët që ngjiten me korridoret e gjata të Pallatit të Rinisë, “Elida” paraqet një ambient të ndriçuar lehtë. Mbi frigoriferët të cilët janë të pozicionuar përballë hyrjes së saj, ndodhen disa rafte në të cilat janë të vendosura plotë enë akulloresh shumë ngjyrëshe. 

Në anën e djathtë ndodhet një pasqyrë dhe një shank me disa karrige, për shumicën e atyre që preferojnë të pijnë kafen vetëm.

Bajram Idrizi, pronar i “Elidës” duke punuar në shank.

E Bajram Idrizi, pronari i saj, me mallëngjim flet për kohën kur ky vend vizitohej nga shumë fytyra eminente të vendit.

“Kanë qenë vitet ’86-’87, kur është formuar lidhja demokratike, atëherë i kemi pasur mysafir të rregullt Ibrahim Rugovën, Veton Surroin, Bujar Bukoshin, krejt këta përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, mirëpo Ibrahim Rugova ka qenë mysafir special që e kemi pasur gjithmonë për çdo ditë”, shprehet Idrizi.

“Mbijetesa” e Elidës nuk ka qenë fare e lehtë, sidomos kur në Prishtinë kishin filluar masat e dhunshme serbe. Në vitet e ’90-ta, ju vu dryri për të mos u hapur për tre vite rresht. Megjithatë, edhe pse e mbyllur e mu në qendër, ajo nuk ishte prekur e as dëmtuar, përgjatë kohës së luftës sa kishte qëndruar e mbyllur.

I gjithë enterieri është i njejtë me atë që ka qenë qysh në ditën e parë. Të paktat renovime që janë bërë, përfshijnë ndërrimin e karrigeve nga struktura e metalit dhe drurit, të cilat ishin sjellë të njëjta nga Turqia, dhe së fundi dyshemeja. Që nga tetori i vitit 2017, Elida është futur edhe në listën e trashëgimisë kulturore.

“Prej ’78-tës është i njëjti enterier. Ky është imazhi i lokalit, nuk e kemi ndërmend me e ndërru”, thotë pronari i lokalit, Bajram Idrizi. 

Një ndër vizitorët e rregullt të kësaj ëmbëltoreje është edhe trajneri i futbollit dhe ish-futbollisti i famshëm i Prishtinë, Afrim Tovërlani. 

Qysh 12 vjeç, ai e viziton “Elidën” thuajse çdo ditë. Me një vështrim që reflekton mallë për atë kohë që tani duket si ëndërr, ai tregon për ditët kur ishte regjistruar në pionierët e klubit të Prishtinës, dhe kishte kaluar nëpër korridoret e Pallatit të Rinisë gjithmonë duke u ndalur tek Elida, për të shijuar një akullore me shokët.

“Elidën e vizitoj prej që është hapur, atëherë kam qenë fëmijë, në vitin 1979 jam regjistruar për pionerët e klubit të Prishtinës edhe gjithmonë kom kalu nëpër këto korridore, për me shku në stërvitje edhe me e kthy në shtëpi. Edhe atëherë si fëmijë, kemi ngrenë ndonjë akullore apo ëmbëlsirë, mandej prap duke u rritë duke vazhdu po e njëjta rrugë stadium-shtëpi, kemi fillu me pi edhe kafe. Mandej para stërvitjeve u takojshim këtu me shoqëri e prej këtu shkonim bashkë në stërvitje. Kjo ka vazhdu me vite të tëra”, tregon Tovërlani.

E duke lundruar nëpër kujtimet e së kaluarës e fëmijërisë, ai mban mend tarracën që dikur e posedonte “Elida”. Aty zakonisht rrinin të rinjtë, ndërsa më të moshuarit brenda në lokal.

Terasa ishte në pjesën ku është lokali i hapur. Atëbotë ka qenë hapësirë e hapur edhe nga lartë, me pamje në qiell direkt.

“Meqenëse enterieri është thuajse i njejtë, e mbaj mend qe e kanë pasë edhe atë pjesën e tarracës përballë, edhe na si t’ri kemi ndejt andej, brenda kanë ndejt njerëz më të moshuar, mirëpo mandej kur jau morën atë pjesë, duhej patjetër me ndejt n’këtë pjesë. Ka njerëz që i mbaj mend e që ende vijnë e pijnë kafen në Elidë ashtu si un, nuk e ndërrojnë vendin”, thotë ai.

Ai nuk la pa përmendur as kohët më kritike, periudhën e demonstratave. Atëherë, në shumë raste “Elida” iu kishte shërbyer protestuesve si “vend-strehim”, gjoja nuk kshin qenë pjesëmarrës të demonstratave. 

“Më kujton shumë raste tjera, kur kemi pasë edhe periudha të këqija, si koha e demonstratave mandej kur kemi ikë prej demonstratave me hi nëpër pallat nëpër korridore, e me u ul diku ‘kinse nuk kesh’ në ato protesta e demonstrata, ma kujton shumë edhe shkuarjen në stadium, kur ishim në Ligën e Parë të Jugosllavisë, pinim nga një kafe para se me shku në ndeshje e në stadium na pritshin 40 mijë vetë”, tregon ai.

Elida tani është pjesë e shumë guidave për turistë, si një kafene që duhet vizituar patjetër, për të gjithë ata që duan të njihen me traditën e kafesë e akullores në vendin tonë./ndertimi.info/ KultPlus.com

Dyshemeja e re e ndërruar para tre muajsh
Karriget ikonike të Elidës
Edhe të rinjtë zënë vend në “Elidë”

Të ngjajshme