‘Europ’Raid’, Shqipëria pjesë e turneut sportiv-kulturor të të rinjve francezë

3 Gusht, 2017 - 10:02 am

‘Europ’Raid’, i pari tur aventure në Evropë, një turne sportiv, kulturor dhe solidariteti, ku të rinjtë pjesëmarrës përshkojnë 10.000 kilometra nëpër 20 vende në 23 ditë, ka zgjedhur sërish si destinacion Shqipërinë.

Në datën 6 gusht, 450 të rinj francezë të ‘Europ’Raid’ do të jenë në Vlorë. Ata zgjodhën përsëri Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre Europ’Raid, që përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 20 vendeve europiane.

Nga 29 korrik deri më 20 gusht 2017 po mbahet edicioni i katërt i ‘Europ’Raid’, tur aventure në Evropë. 150 ekipe dhe 450 pjesëmarrës do të udhëtojnë 10.000 kilometra nëpër 20 vende në 23 ditë me Peugeot 205. Përveç aspektit sportiv dhe kulturor ata do të shpërndajnë në shenjë solidariteti edhe mjete të ndryshme shkollore për shkollat e largëta në Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari.

‘Europ’Raid’ konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli … Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, ‘Europ’Raid’, rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike evropiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.

‘Europ’Raid’ gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë, shkruan atsh.

Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.

Por përtej dimensionit kulturor dhe sportiv, ‘Europ’Raid’ është gjithashtu një nismë solidariteti. Çdo ekip duhet të ofrojë 100 kilogramë pajisje sportive ose shkollore për një shkollë të largët në Evropën Lindore./ KultPlus.com

Të ngjajshme