Familja Sharri merr dekoratën “Fisnik ndër Kombe” nga shteti i Izraelit

20 Qershor, 2018 - 11:30 am

Të hënën në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u mbajt ceremonia e ndarjes së dekoratës “Fisnik ndër Kombe” (Righteous Among the Nations) për Faik dhe Sabrije Sharrin.

Ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, dekoratën ia dorëzoi Bedia Sharri Mustafa e cila e pranoi medaljen dhe certifikatën me të cilin shteti i Izraelit vlerësoi veprën fisnike të strehimit dhe shpëtimit të një familje hebreje nga prindërit e saj, Faik dhe Sabrije Sharri, në Prizren, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me këtë rast zv. kryeministri, Enver Hoxhaj theksoi se është shumë i kënaqur të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të Faik dhe Sabrije Sharrit, shpëtimtarë të një familje hebreje në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore duke besuar se raste të tilla do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit midis dy shteteve tona, Izraelit dhe Kosovës.

Ambasadorja Fischer, theksoi se e gjithë familja Hara shpëtoi në sajë të kurajës së jashtëzakonshme të Faik Sharrit dhe gruas së tij Sabrijes.

Bija e familjes, Bedia Sharri Mustafa theksoi që ndihej e nderuar që sot pranon dekoratën dhe certifikatën në emër të prindërve të saj.

Në fjalën e saj tha se shumë familje shqiptare gjatë asaj periudhe kanë strehuar dhe shpëtuar familje hebreje, por që familja e saj është nga të paktët që patën fatin të kenë në posedim dokumentin origjinal si dëshmi. Gjithashtu tha se shpreson që kjo dekoratë do të shërbejë si urë lidhëse për dy popujt tanë në të ardhmen.

Çmimi “Fisnik ndër Kombe” është një titull zyrtar nderi të cilin e ndan Yad Vashem, Qendra Botërore e përkujtimit të Holokaustit, në emër të shtetit të Izraelit dhe popullit hebre, jo-hebrejve që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit. Titulli jepet nga një komision i posaçëm i kryesuar nga Gjykata Supreme e Drejtësisë në bazë kritereve dhe rregullave të përcaktuara mirë./ KultPlus.com

Të ngjajshme