Fëmijët e Prishtinës vazhdojnë traditën, mësojnë për lojërat e gjyshërve

18 Prill, 2018 - 2:13 pm

Alberina Haxhijaj

Loja me tërheqje, gura-peshk, kullas, kliqka, bëz-bëz, pit-pitak (me shtaga), turraz, sorra, cic- mic (dëgërrxhik), fshehurazi (symbylltazi) dhe loja me guralec janë lojërat të cilat fëmijët sot mësuan për to dhe i zhvilluan së bashku në mjediset e Muzeut të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pleqtë i rikthyen në praktikë ndërsa fëmijët mësuan sot se si paraardhësit e tyre argëtoheshin në kohërat kur të parëve u mungonin videolojërat e interneti për ta kaluar kohën e lirë.

Të shoqëruar nga gjyshërit dhe prindërit, fëmijët patën mundësinë që të mësojnë më shumë për “Lojërat e gjyshërve tanë” aktivitet që u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve.

Pedagogia muzeore, Besnike Rraci-Gjikolli nga Muzeu i Kosovës tha se “Lojërat e gjyshërve tanë” vijnë si thirrje që fëmijët të mësojnë më shumë për këto lojëra por edhe t’i shijojnë ato.

“Këtë vit e kemi temën “Trashëgimia ndër brezat” dhe kemi ftuar fëmijët nga shkollat e ndryshme së bashku me gjyshërit dhe gjyshet e tyre. Esenca e gjithë programit është që të kthejmë vëmendjen e fëmijëve nga lojërat e mëparshme, që ata të rrinë më shumë në natyrë dhe të largohen nga pajisjet elektronike”, u shpreh ajo.

Të vegjlit të cilët vizituan sot Lapidariumin e Muzeut të Kosovës patën mundësin që të luanin lojëra të vjetra tradicionale të gjyshërve të tyre. E kjo është konsideruar shumë e rëndësishme për gjyshet dhe gjyshërit që sollën nipat e tyre në këtë aktivitet.

Feride Zeqiri e cila kishte sjellë mbesën e saj Sarah Zeqirin kujtoi për KultPlus kohën kur vet si fëmijë kishte luajtur këto lojëra. Duke shtuar se tani lojën si tërheqja me litarë dhe lojën me guralec, ua ka mësuar edhe mbesave dhe nipave të saj.

“Kjo është diçka shumë e vlefshme. Fëmijët mësojnë për lojërat por edhe ne gjyshet mësojmë më shumë për muzeun e aktivitetet e tij të cilat ne më parë nuk i kemi përcjellë. Kjo është diçka e mirë pasi që fëmijët po largohen prej pajisjeve elektronike. Sepse tash fëmijët më shumë po luajnë më këto lojërat e reja që janë edhe nëpër telefonë sesa me lojërat që kanë qenë përpara. Lojëra të cilat ne i kemi luajtur shumë”, tha ajo për KultPlus.

Duke bërë gara më njëri-tjetrin e duke tërhequr litarët, duke luajtur më gurë dhe duke vrapuar fëmijët të lodhur pastaj janë ulur në sofrat të cilat ishin shtruar posaçërisht për ta, me ushqime tradicionale./ KultPlus.com

Të ngjajshme