Feride Rushiti, çmimin “Grua e Guximshme” ua dedikon grave në Kosovë

4 Prill, 2018 - 3:08 pm

Alberina Haxhijaj

Feride Rushiti sapo është nderuar me çmimin “Grua e Guximshme” nga Departamenti i SHBA-së. Kurse me t’u kthyer në Kosovë ajo është drejtuar për media nga memoriali “Heroinat” duke treguar se ky çmim është për të gjitha gratë e Kosovës, shkruan KultPlus.

E zgjedhur në mesin e grave të cilësuara si gra të guximshme nga Departamenti i SHBA-së Feride Rushiti është shprehur se ky çmim po ashtu ka ardhur si kurorëzim i punës 20-të vjeçare.

“Çmimin sigurisht që ia kam dedikuar grave por edhe viktimave të dhunës seksuale pasi që mendoj se bashkërisht me zërin e grave të tjera, qoftë politikane apo në shoqëri civile, aktiviste të të drejtave të njeriut por edhe atyre që shumë herë zëri i tyre ka qenë i padëgjuar, kam arritur këtë që kam arritur. Ato realisht edhe kanë qenë inspirim për mua dhe luftën time 20 vite me radhë në këtë fushë”, tha ajo.

Tutje Feride Rushiti e cila është edhe Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, tregoi se Kosova me ndarjen e pensioneve për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ka bërë një hap pozitiv.

“Pensioni që do u ndahet, është shumë e rëndësishme që të përmendet, sepse nuk është pension që ua ndryshon jetën atyre. E kaluara e tyre nuk harrohet asnjëherë, madje shumë gra thonë se ne jetojmë të vdekura në mesin e të gjallëve. Kjo për shkak se nuk janë njohur nga shoqëria e familja për vite të tëra. Ky është një pension që dëshmon se shteti i njeh vuajtjet e tyre dhe të kaluarën. Kjo ka më së shumti rëndësi pasi që e largon fajësinë prej viktimës tek ai që e ka kryer dhunimin”, u shpreh ajo duke shtuar se është rritur numri i aplikuesve për pension për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ajo tregoi edhe për vizitën në SHBA ku programi ka qenë kryesisht i fokusuar në Washington D.C. Mirëpo, për të gjitha gratë të cilat kanë qenë pjesëmarrëse është organizuar edhe nga një program i veçantë, ku me ç’rast Rushiti ka kaluar një kohë edhe në Florida.

“Ka pasur shumë organizata joqeveritare, kryesisht organizata të cilat merren me dhunë në familje, me dhunë seksuale e po ashtu organizata që merren me drejtësinë tranzicionale, me të rinjtë të cilët kanë qenë në konflikt me ligjin dhe gjëra të tilla. Gjithë kjo është bërë për arsye që të vë kontakte dhe të shoh praktika të mira atje dhe se çfarë mundem të sjellë në Kosovë”, tha ajo duke treguar se ky ka qenë edhe një reflektim mbi punën që bënë dhe ato që duhet bërë edhe në të ardhmen.

Kjo është hera e tretë që një grua nga Kosova është fituese e këtij çmimi. Në vitin 2015, këtë çmim e kishte fituar Arbana Xharra, kurse në vitin 2008, këtë çmim e kishte fituar Valdete Idrizi. Memoriali “Heroinat” ju kushtohet përpjekjeve dhe vuajtjeve të femrave kosovare për liri në vitet 1998-1999./ KultPlus.com

Të ngjajshme