Feride Rushiti tregon se ende ka rrëfime tronditëse nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

18 Tetor, 2018 - 6:44 pm

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka folur për fushatën “Bëhu Zëri Im”, dhe të gjitha punët që bëhen aty me të mbijetuarat nga dhuna seksuale nga forcat serbe të vitit 1999.

Rushiti në Express Intervistën në KTV, tha se rrëfimi i Vasfije Krasniqit-Goodman, është pjesë e kampanjës “Bëhu zëri im” që shpejt u kthye në “Heshtja bëhet zë”.

Ajo ka folur për rrëfimin e Vasfijes, e ka quajtur heroinë e ka thënë se e ka thyer heshtjen.

“Nganjëherë krijohet përshtypja se kjo kategori nuk vlerësohet fare nga shoqëria, në organizatën tonë, po them se kemi rrëfime edhe më tronditëse se kjo që u dëgjua. Megjithatë, mirë që të gjithë i dhanë epitetin Heroinë, përmes saj të gjitha gratë tjera të mbijetuara morën këtë epitet. Njëra e mbijetuar tha se rrëfimin e Vasfijes “’mund ta quaj “Liberalizim të shpirtit tim’”, tha ajo.

Rushiti, tha se pas këtij rrëfimi, që konsiderohet i pari të jetë publik, kanë pasur kontakte të shumta me persona që kanë dashur të takohen me Vasfijen të cilën tani e quajnë forcë të tyre.

Ajo tha se presin që si Vasfija të marrin guximin edhe gratë tjera.

“Për të ndryshuar qëndrimin në shoqëri duhet kohë, por është mirë që u thye heshtja. Duhet të krijojmë solidaritet ndaj tyre, t’i pranojmë me të kaluarën e tyre. Kemi raste si Vasfija që ishte 16 vjeçare, por ato kanë qenë fëmijë, ka pasur fëmijë që atë kohë ishin 9 vjeçare”, tha ajo.

Rushiti tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta, kanë ndihma mjekësore, sociale, e të tjera, pasi ka prej tyre që kanë mbetur edhe pa familje.

“Që nga 99-ta, me programe të ndryshme jemi munduar t’i trajtojmë plagët e tyre. Shuma apo kompensimi që filloi këtë vit, nuk është aspak se një mirënjohje. Janë vetëm 230 euro. Është më shumë mirënjohje shpirtërore, që të tregohet se edhe ato kanë vuajtur si kategoritë tjera të dala nga lufta”, tha ajo.

Rushiti, gjithashtu tha se tentojnë t’i adresojnë kërkesat e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale.

Për deputetët që kanë votuar kundër ligjit që këtyre kategorive t’i njihet e drejta, tha s’e s’ka qenë vendim i duhur.

“Moment i dhimbshëm momenti kur është dashur të votohet për këtë ligj. Ka qenë dëshira e tyre që t’u njihet e drejta, ato janë produkt i luftës”, tha ajo.

Rushiti, në fund tha se sfida e pika më e dobët tek ato është që nuk po punohet në drejtësi e të zbardhen këto raste. Tha se është keq që nuk u gjykua ende asnjë kriminel.

“S’kemi asnjë kriminel që u ndëshkua për krime gjatë luftës. Vasfija, përveç që i shfaqi dhimbjet e saj, foli edhe për kriminelët dhe për drejtësinë në Kosovë. Ne në bazë të dhënave e dimë që ka shumë nga gratë që janë intervistuar në UNMIK dhe ende s’është zbardhur drejtësia. Janë me të vërtetë shumë të zhgënjyera, kemi një rast që është intervistuar 28 herë. Përmes Vasfijes jemi munduar të zbardhim rastet që janë tek ne”, tha ajo.

Në fund tha se po punojnë shumë që këto gra të kenë qasje në drejtësi.

Të ngjajshme