Ferrët e qilimave, Jakupi me Jipin po shndërrojnë lojën kompjuterike në qilima shqiptarë

11 Mars, 2021 - 11:04 pm

Njëmbëdhjetë vjeçari Jip Ferri nëpërmjet një loje kompjuterike ka inspiruar babain e tij Jakup Ferrin, që ky i fundit të lidhë teknologjinë e fundit me traditën shqiptare në një projekt, dhe kjo ide tashmë ka futë vekun në punë, për finalizimin e këtij projekti që do të përfundojnë në qilima, shkruan KultPlus.

Artisti i njohur Jakup Ferri, i cili është i njohur për artin e tij të veçantë, ka treguar për KultPlus se djali i tij luan në një lojë kompjuterike e njohur si Animal Crossing, dhe dizajnet e kësaj loje që i bën Jipi për veshjen e karaktereve të cilat i luan, dalëngadalë po marin formën e artit, që për Ferrin nuk është hera e parë që e praktikon.

Pamje nga veshja e karaktereve në videolojëra nga Jip Ferri

“Jipi, djali im i luan disa lojëra kompjuterike, dhe e pash se si i dizajnonte sa me qejf e lehtë, edhe pse nuk është se i intereson shumë arti. E unë gjithmonë kam dëshirë që punët e mia të kenë një bazë, dhe mbi këtë fakt e pyeta edhe djalin tim se nëse është i gatshëm të nisim këtë punë bashkë”, ka treguar Ferri për KultPlus, i cili ka shpjeguar më tej se dizajnet e Jipit në këtë lojë, janë ndërlidhur në një linjë  me trashëgiminë e teknologjinë moderne, dhe kjo ide sot ka rezultuar me finalizimin e qilimit të parë, që janë duke u punuar nga disa gra në një fshat të Veriut të Shqipërisë.

Pamje nga qilimi i punuar, i bazuar në dizajnët e Jip Ferrit, qilima që janë duke u punuar në Veri të Shqipërisë

Të porositura tashmë 20 qilima me dizajnë të ndryshëm, Ferri tregon se një përvojë me qilimat e ka edhe me babain e tij, artistin e njohur Rexhep Ferrin, të cilën e patën realizuar para shumë viteve në Krujë.  

Jakup e Jip Ferri

Jakup Ferri i njohur si koleksionues i madh i gjërave të ndryshme që e provokojnë artin e tij, i njohur poashtu edhe për artin e tij të prezantuar në hapësira të ndryshme të artit, për projektin e fundit ka thënë që ende nuk e di formën e prezantimit të këtyre qilimave, pos asaj se dimensionet e këtyre qilimave janë prej dy metrave.

Jip Ferri

Ai ka treguar edhe në këtë intervistë se më shumë e gëzon fakti i krijimit të një projekti të ri, se sa që merret me shitjen e tyre, pasi që, sipas tij, nga krejt veprat e realizuara deri më tash, nuk është i sigurt se nëse 20 % e punimeve të tij i ka shitur, sepse nuk është i fokusuar shumë në këtë pjesë.

Ferri nuk e përjashton mundësinë për të vënë kontaktin edhe me përgjegjësit e kësaj videoloje, për ti njoftuar për ndërlidhjen që ka bërë me këtë projekt, e që pikënisjen e ka nga Jipi i tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme