Festa mbarëkombëtare për Skënderbeun në Durrës, mesazhe të veçanta nga arbëreshët

6 Maj, 2018 - 4:30 pm

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Bashkia e Durrësit dhe shoqata kulturore Smat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizuan “Festën për Gjergj Kastrioti Skënderbeun në ditën e lindjes së tij’.

Ky aktivitet dy ditor që zhvillohet në Bashkinë e Durrësit dhe në kepin e Rodonit, u organizuar nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.


>

Delegacioni i përbërë nga rreth 50 vetë nga komunat arbëreshe të Italisë, Casalvecchio dhe Chieuti, të veshur me kostume popullore dhe duke kënduar këngë të vjetra shqip kanë çelur këto festime në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit për të vijuar më pas edhe sheshin Liria.

Në këtë ceremoni delegacioni është pritur nga drejtori i kabinetit të bashkisë së Durrësit Lavdosh Beqiraj dhe drejtori i arsimit dhe kulturës Adrian Gurra të cilët i kanë uruar mirësardhjen arbëreshëve të Italisë dhe kanë vënë theksin në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore midis arbëreshëve të Italisë dhe Durrësit për të cilën shërbeu edhe kjo festë dy ditore për nder të Skënderbeut që i bashkoi në Durrës shqiptarë nga të gjitha trevat ku ata ndodhen.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe dy kryetarët e komunave arbëreshe, kryetari i komunës Casalvecchio, Noe Andreano dhe kreu i komunës Chieuti, Diego Iacono./ ATA/ KultPlus.com

Të ngjajshme