Festivali Ndërkombëtar Kulturor ‘Ballkan Trafik’

24 Prill, 2020 - 4:41 pm

Duke filluar nga viti 2006 e në vijim pa asnjë ndërprerje, gjatë muajit Prill – Maj, në Pallatin e Aerteve të Bukura dhe në sheshe të hapura në Bruksel është zhvilluar Festivali Kulturor « Ballkan Trafik » ngjarja më e madhe këtij lloji për Ballkanin në Europë.

Themelues dhe Drejtor i Përgjithshëm i tij është zoti Nicola Wieërs, dashamirës dhe njohës i mirë i artit dhe kulturës popullore të Ballkanit. Ky i fundit e emërtoi enkas kështu këtë Festival për të dhënë mesazhin se Ballkani ka dhe « trafiqe » shumë të dobishme për miqësinë dhe paqen mes popujve, sidomos arti, kultura, letërsia, etj. Ndër nismëtaret e para të këtij festivali ishte dhe Shqipëria.

Gjatë 14 viteve të kaluara në këtë festival me jehonë publike dhe mediatike në Bruksel e më gjerë, krahas grupeve të njohura artistike nga vendet e rajonit, kanë qenë të pranishme me koncertet dhe grupe e artistë të njohur nga SHBA-të, India, Çekia, Slovakia, Hungaria, etj. Shqipëria është përfaqësuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe të organizatorëve dy herë me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, Ansamblin « Lunxhëria », Ansamblin e mirënjohur rinor « Vatra » të komunitetit shqiptar në Bruksel, ( foto më poshtë) këngëtaret Eda Zari dhe Eliza Duni, etj që janë pritur ngrohtë dhe me entusiazëm. Krahas shfaqjeve, gjatë Ballkan Trafik ka patur dhe debate mbi muzikën në Ballkan, ekspozita të ndryshme, etj.

Lidhur me edicionin e tij të 14-të, ju ftojmë të ndiqni disa mbresa dhe reflektime të disa pjesëmarrësve dhe organizatorit të këtij Festivali.

« Një nënkampion në beatbox dhe mjeshtër kitare nga Bullgaria, një poete rumune dhe një kor boshnjak do të performonin në Festivalin tradicional Ballkan Trafik në Bruksel ( 23 – 26 Prill 2020) Kjo ngjarje « kult » në kryeqytetin belg ka synuar gjithmonë të sjellë modele artistësh, të cilët nuk mund të kapnin ndryshe audiencat në Europën Perendimore. Por pandemia e virusit të koronës i detyroi organizatorët ta shtyjnë fizikisht këtë aktivitet të planifikuar për 23 – 26 Prill 2020 për në muajin Nëntor; gjithsesi, ky Festival tani po zhvillohet me versionin në linjë. Për vetë pjesëmarrësit, mbyllja brenda shtëpisë na risjell në memorie kujtime të forta.

“Kori ynë u krijua në kushtet e agresionit në Bosnie – Hercegovinë, gjatë vitit 1993 ; ai u krijua në një periudhë shumë sfiduese, tamam si kjo e tanishmja « thotë Kenan Hadzifejzovic, pjestar i Korit « Hazreti Hamza »”Ne nuk mund të dilnim jashtë si njerëz normalë, por ama kishim korin tonë, këngët tona brenda strehave të mbrojtura, ndaj dhe mund të vazhdonim të rriteshim kulturalisht dhe të mbaheshim mirë me shëndet »

Për organizatorët kishte rëndësi që Festivali të zhvillohej në linjë, që të bënte të mundur që njerëzit të ndërvepronin bashkërisht me kulturat e vendeve të tjera në rehatinë e kanapeve të tyre.”Kjo është një mënyrë e re për të komunikuar dhe për të mësuar mbi fqinjët tanë në Europë ; më tepër se aq, kjo është një mënyrë e re për të shijuar aromën e Ballkanit »” shpjegon themeluesi i Festivalit, zoti Nicola Wieërs. Për Silvia Grădinaru, poete nga Rumania, njerëzit gjatë koronavirusit duhet të mbështeten në fuqinë kuruese të artit. “Tani, njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë që arti të përpunojë ndjenjat e tyre pavarësisht nga çfarë po ndodh dhe të krijojë ndjesinë se gjërat nuk ndalen… se ky nuk është distancim social por vetëm fizik. Gjithsesi,jemi bashkë ! »Festivali dixhital do të sjellë shfaqje, debate dhe video clipe.

Nga Shqipëria do të ketë një kolazh me këngë polifonike dhe valle të zgjedhura popullore./argumentum.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme