Festohet 12-të vjetori i përfshirjes së Iso-Polifonisë shqipe në UNESCO

21 Nëntor, 2017 - 5:06 pm

Në kuadër të 12 vjetorit të përfshirjes së Iso – Polifonisë në listën e UNESCO-s dhe 105 vjetorit të Pavarësisë, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, Qarkun Vlorë dhe RTSH organizon nga data 24- 25 nëntor edicionin e XII-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Iso – Polifonisë në Vlorë.

Në të do të marrin pjesë grupe të cilat kanë traditë këndimin e iso – polifonisë si toske ashtu edhe labe.

Grupi i Korçës, Grupi i Mallakastrës, Grupi “Gjergj Araniti”, Grupi “Zëri i Bilbilit” Sarandë, Grupi i të Rinjve të Himarës, Grupi i Tërbaçit, Grupi i Gramshit, Grupi i Dropullit, Grupi i Kaninës “Ismail Qemali”, Grupi i Sevasterit, Grupi i Drashovicës, Ansambli Çipini, Shqiponjat e Tërbaçtit dhe Lidhja e Prizrenit janë në mesin e Ansambleve që do të marrin pjesë në këtë festival, shkruan KultPlus.

Pa më të voglin dyshim, data 25 nëntor 2005 është një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve por dhe për vetë Shqipërinë. Në këtë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediet e botës nga Dr. Koichiro Matscura, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris.

Për të dalë me këtë vendim, Juria Ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, shqyrtoi mbi 60 kandidatura të propozuara për t’u përfshirë në listën “Kryevepër e njerëzimit”, propozime të bëra në rrugë zyrtare nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës duke plotësuar dosjet dhe kriteret e shpallura për këtë qëllim. / KultPlus.com

Të ngjajshme