Filloi renovimi i Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë

3 Shtator, 2018 - 7:13 pm

Tashmë ka filluar renovimi i Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë. Lajmin për fillimin e renovimeve e ka bërë të ditur drejtori i kulturës në Komunë e Prishtinës, Yll Rugova, shkruan KultPlus.

Ndërtesa e shkollës së parë shqipe gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, në trekëndëshin që e formojnë rrugët “Trepça” dhe “Ilir Konushevci”. Ndërtesa me etazhitet P+1 është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga Avdurrahman Pasha, shqiptar nga Prishtina.

Në vitin 1880 është djegur, por është rindërtuar prapë nga djemtë e Avdurrahman Pashës. Më 1908, në këtë ndërtesë hapet gjimnazi (Idadije) që kishte rreth 250 nxënës shqiptarë. Pas Luftës së Dytë Botërore një kohë është shfrytëzuar si kazermë e ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Ndërsa që një kohë kjo ndërtesë është shfrytëzuar edhe për banim nga disa familje, të cilat kanë qenë në rrezikshmëri të lartë nga shembja e ndërtesës. Komuna kohë më parë pati siguruar strehimin adekuat për këto familje, si dhe pati shpallur edhe tenderin për stabilizim dhe më pas konservim të ndërtesës.

Drejtori i kulturës në Komunë e Prishtinës, Yll Rugova po ashtu ka njoftuar se së shpejti do të fillojnë punën edhe të shtëpia e Sali Safqe në qendrën historik të qytetit të Prishtinë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme