Fillon restaurimi i shtëpisë Xhafer Deva në Mitrovicë

2 Shkurt, 2022 - 4:00 pm

Është një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë.

Gjatë ditës së djeshme filluan punimet restauruese në Shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të vjetër të qytetit nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.

Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin.

Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në pjesën e jashtme. Si e tillë kjo është një ndër shtëpitë e para të këtij stili në Mitrovicë dhe Kosovë. Stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, paraqet kthesë radikale të kalimit nga ndërtimi i objekteve me ndikim të arkitekturës të stilit oriental, në ndërtim të objekteve me stil të arkitekturës moderne europiane.

Procesi i restaurimit do të përfshijë ndërhyrjet në pjesën e jashtme dhe të brendshme të ndërtesës. Fokusi kryesor jashtë është në restaurimin e dekorimeve në fasada, punimet e zdrukthëtarisë dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve. Brendësia do të revitalizohet dhe përdoret si hapësirë komunitare për aktivitete kulturore në katin përdhes, ndërsa kati i parë dhe i dytë janë planifikuar të shërbejnë për zyrën e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Projekti pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Restaurimi po bëhet në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, i cili bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe zbatohet nga UNDP.

Fotografitë: Arben Llapashtica
Fotografitë: Arben Llapashtica

Të ngjajshme