Fillojnë aplikimet për pjesëmarrje në festivalin Bunarfest

22 Maj, 2019 - 2:25 pm

Njëri prej festivaleve më unike në Kosovë, Bunarfest, ka shpallur të hapur thirrjen për aplikim për të interesuarit të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e garës së lëshimit me goma në lumin Lumbardhi të Prizrenit, në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit Bunarfest.

Organizatorët kanë bërë të ditur tashmë se ky edicion do të mbahet në datat 8-9 qershor, ku së pari më 8 qershor (e shtunë) do të organizohet aktiviteti i pastrimit të lumit me vullnetarë dhe në mbrëmje do të organizohet koncerti muzikor me artistë të njohur nga vendi, derisa më 9 qershor (e diel) do të organizohet gara e lëshimit me goma, shtegu i së cilës fillon nga lokacioni i njohur si “Centralla” dhe përfundon në qendër të qytetit tek “Ura e Gurit”, ku është edhe finishi i garës.

Sikurse edhe në vitet e mëparshme, festivali nuk do të ketë karakter garues dhe qëllimi mbetet që në formë atraktive dhe argëtuese t’i jepet mesazhi qytetarëve për ta mbrojtur dhe mos e ndotur lumin.

Të interesuarit për pjesëmarrje në garë mund të aplikojnë nëpërmjet webfaqes http://40bunarfest.org/aplikacion-per-pjesmarje/

Të ngjajshme