Fillojnë ndërhyrjet emergjente në kullën e Pjetër Prenkpalaj në fshatin Zym të Hasit

26 Shkurt, 2022 - 12:16 pm

Kanë filluar ndërhyrjet emergjente në kullën e Pjetër Prenkpalaj në fshatin Zym të Hasit, përcjell KultPlus.

Ky projekt po realizohet në zbatim të programit “Masat Preventive – Intervenimet Emergjente” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore në rrezik.

Kulla e gurit e familjes Pjetër Prenkpalaj e ndërtuar në shekullin XIX nga aspekti arkitektonik, i përket shtëpi-kullave me çardak të punuar prej druri. E vendosur mbi kodër ka pozitë dominuese mbi fshatin Zym, duke u shndërruar në pjesën përbërëse të peizazhit të fshatit. Kjo kullë prej guri veçohet për nga teknika e ndërtimit të muratimit të thatë (pa llaç) të mureve mbajtëse, teknika tradicionale e muratimit me thupra të mureve ndarëse në etazhe, punimet të drugdhendjes të jastëkëve (kapiteleve) të shtyllave të çardakut, rafteve, dyerve, dritareve, parmakëve prej druri të dritareve, etj./ KultPlus.com

Të ngjajshme