Fjalët e Ismail Kadaresë për librin e At Zef Pllumit

18 Janar, 2018 - 6:26 pm

Vepra “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi ka marrë kritikat letrare të nevojshme, por edhe bekimin e plot njerëzve si libër që duhet lexuar për ta kuptuar jetën e priftit shqiptar në një kohë tjetër për shqiptarët.

Frati françeskan dhe një publicist e shkrimtar i palodhshëm, At Zef Pllumi na e la këtë libër si dëshmi që jetoi dhe dha kontribut në disa fusha.

Vëllimi i parë i librit është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. Redaktori i librit, sikundër edhe në dy vëllimet e para, është Aurel Plasari.

Në mesin e njerëzve që e vlerësuan librin dhe thanë fjalët më të mira për të, ishte edhe Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar.

“Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.
Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.”

Kujtimet e Pllumit, dhe të disa emrave të tjerë që i kanë kaluar ato rrathë ferri, janë beteja më e ashpër kundër dinakërisë së një pjese të shoqërisë që është përpjekur për të harruar të shkuarën – një e harruar që i krijon hapësirë vetëm atyre që kanë mbështetur atë përbindësh e që nuk duan për asnjë çast që t’i zbathet e shkuara. Duke sjellë përmes një rrëfimi shumëçka që ka ndodhur me të dhe shumë persona rreth tij, e sidomos në burgjet shqiptare, At Zef Pllumi ka ngritur pikëpyetjen e drejtpërdrejtë mbi atë çfarë duhet bërë me të shkuarën e prindërve dhe gjyshërve tanë. / KultPlus.com

Të ngjajshme