Fotografia e dhimbjes, Dezi Bekteshi: Nuk guxuam të ndalonim, ferri ishte në tokë

1 Prill, 2021 - 7:53 pm

Dezi Bekteshi dhe Sheherzade Bekteshi janë vajza të tezës, dhe lufta e fundit në Kosovë i kishte zënë bashkë, të cilat bashkë me familjarë të tjerë dhe fqinjët e tyre kishin përjetuar rrethimin nga serbët, ndarjen e grave nga burrat, dëbimin drejt Shqipërisë, vrasjen e dhjetë të rinjve dhe shumë tmerre të tjera.

Dezi Bekteshi ka ndarë me KultPlus fotografinë e 15 prillit të vitit 1999, ku shihet bashkë me vajzën e tezës së saj, e cila kishte humbur ndjenjat përgjatë ikjes për Shqipëri, por që nuk iu ishte lejuar që të ndaleshin e ti jepnin ndihmën e parë, dhe këtë ndihmë i kishin ofruar në ecje e sipër.

Bekteshi kujton për KultPlus se para 15 prillit, kishte disa net më parë që forcat paramilitare kishin filluar spastrimin etnik në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ku shihnin edhe shtëpitë e djegura të fqinjëve.

“Në shtëpinë tonë kishin ardhë për strehim, gjoja si një vend më i sigurt, axha me familje, të cilët jetonin në veri, halla me familjen e saj dhe një e afërme me djalin e saj, të cilit kishin ardhë nga Drenica”, kujton Bekteshi.

Në mëngjesin e 15 prillit, kujton Bekteshi se në shtëpinë e tyre u futën paramilitarët serb të cilët i urdhëruan që ti marrin vetëm gjërat esenciale dhe i urdhëruan që ti lëshojnë shtëpitë.

”Keni dashur NATO”, ja ku e keni”, kujton fjalët e paramilitarëve serb, Dezi Bekteshi e cila shpjegon se ata më pas i urdhëruan që të niseshin për Shqipëri.

“Kështu ndodhi më të gjitha familjet e Lagjes së Boshnjakeve. Na mblodhën të gjithëve dhe na bashkuan në një shtëpi të fqinjëve, ku edhe na ndanë, burrat në njërën anë e gratë në anën tjetër. Nuk e dinim se çfarë nënkuptonte kjo, dhe gjithçka dukej si ëndërr. U detyruam të jepnim të gjitha gjërat e çmueshme dhe paratë. Pas maltretimeve të shumta, u urdhëruam që vetëm gratë, vajzat dhe disa burra më të moshuar të dilnim nga ajo shtëpi e të vazhdonim në këmbë deri në stacion të autobusëve, pasi që nga atje do të niseshim me transport të “organizuar” në Shqipëri”, shpjegon më tutje Dezi Bekteshi.

Mirëpo, nga shtëpia e fqinjëve nuk u lejuan të dalin edhe dhjetë të rijnë shqiptarë, ku Dezi tregon se dy prej tyre i kishte djem të axhës.

“U munduam të rezistonim, të niseshim të gjithë bashkë, mirëpo ishim të kërcënuar se po qe se rezistojmë tutje do ta pësojnë të rinjtë…, dhe u nisëm”, tregon për këtë ndarje me të rinjtë shqiptarë që mbetën me paramilitarët serb.

Ajo, rrugën deri te stacioni i autobusëve e përshkruan si të ishte ferri në tokë.

“Dëgjonim të shtëna armësh që supozonim se u ishin drejtuar të rinjve që mbetën në shtëpi. Rrahje pa pikë faji, vetëm pse ishin shqiptarë, të qara e mërzi e pashpjeguar me fjale. Thonë se shpresa vdes e fundit, dhe besonim se djemtë tanë do t’i lirojnë dhe se sigurisht do të “organizonin transport” edhe për ta për në Shqipëri”, tregon Dezi Bekteshi.

Ajo më pas rrëfen se në stacionin e autobusëve mund të zinin vend vetëm ata që jepnin para të bollshme. “U organizuam të gjithë që të siguroheshim që mos të na mbetej asnjë jashtë, dhe dhamë çfarë patëm, dikush byzylyk, e dikush qafore vetëm për të siguruar transportin për të gjithë. Që nga ajo ditë e urrej autobusin”, tregon më tej rrëfimin, që sipas saj, edhe udhëtimi në autobus ishte traumë në vete, edhe pse u premtonin se po i dërgonin në Shqipëri, ata kishin frikë se mos po ju ndodhtë ndonjë e keqe.

Ajo kujton kohën se si të rraskapitur zbritën në Morinë, dhe se ajo ecje i ishte dukur se kishte zgjatë sa një jetë e tërë.

“Pleq, plaka dhe gra të sëmura që nuk mund të ecnin. Çfarëdo që ndodhte, nuk guxonim të ndaleshim,  sepse kishim frikë mos po ndahemi nga familjarët.  Vajza e tezes, Sheherzadja, në atë kohë 17 vjeçare, nga të qarat e pafundme u alivanos. Krejt çka mund të bënim, ishte ti ofronim ndihmë në ecje e sipër.  Më kujtohet që njerëz të panjohur, që e kishin fatin tonë u mundonin t’i jepnin frymëmarrje artificiale,  duke e mbajtur ashtu para duarsh. Pak më tej e pamë një pikë të Kryqit të Kuq dhe aty morën ndihmë mjekësore të gjithë ata që kishin nevojë”, kujton Dezi, e cila shpjegon më tutje se me mjete të ndryshme të transportit ishin dërguar në Kukës.

Duke mos harruar asnjëherë zemrën e madhe të kuksianëve, e më pas edhe atyre të Peshkopisë, familjet kosovare qëndruan atje për dy muaj, për tu kthyer më pas, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Dezi Bekteshi tregon për KultPlus se kthimi ishte rrëfim në vete, pasi që gjetën shtëpitë e djegura, siguria jo aq stabile dhe e favorshme.

“Mbrëmja na zinte duke i kërkuar familjarët e fqinjët tanë, për të cilët nuk dinim nëse janë të gjallë apo të vdekur. Shtëpitë dalëngadalë shndërroheshin në vatër banimi, por flinim dhe zgjoheshim duke pyetur e kërkuar dhjetë të rinjtë shqiptarë që i kishin mbajtur peng serbët”, thotë Bekteshi.

Dhe për dhjetë të rinjtë shqiptarë, që u mbajtën peng në vitin 1999, Dezi Bekteshi tregon se tek pas dhjetë viteve e mësuan se të dashurit e tyre të zhdukur ishin vrarë, kurse për njërin nga ta, edhe sot e asaj ditë nuk kanë kuptuar asgjë.

Dezi Bekteshi e cila sot punon si menaxhere e projekteve, kurse Sheherzadja që jeton tash e shumë vite në Londër, punon si grimere kanë ndarë këtë fotografi të dhimbjes së vitit 1999, e pos kësaj fotografie, kjo dhimbje ka edhe Shtëpinë Muzë, pikërisht shtëpinë në të cilin i kishin mbledhur shqiptarët e kësaj lagjeje.

“Plagët e asaj kohe do ti varrosim vetëm kur të ndalojmë së fryumuari”, thotë Bekteshi, e cila këtë fotografi e ka siguruar nga fqinji i Bekteshit, Emir Azemi, vëllau i Minir Azemit, ku ky i fundit është vrarë në mesin e dhjetë të rinjve.

Dhe kjo fotografi që ka dërguar Dezin 22 vite pas, nuk dihet se nga kush është shkrepur, pos asaj se e kanë parë në një faqe të rrjeteve sociale, pamje që ka memorizuar tmerrin e popullit shqiptar./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme