Franca nuk ka pemë të mjaftueshme për ta bërë çatinë e Notre Dame siç ka qenë

22 Prill, 2019 - 11:00 am

Kur katedralja e Notre-Dame të rindërtohet, ka shumë gjasë që të mos duket siç ka qenë më parë. Kjo për shkak se Franca nuk ka pemë aq të gjata sa për ta bërë çatinë e saj siç ishte.

Kështu ka bërë të ditur Bertrand de Feydeau, nënkryetari i organizatës për mbrojte dhe promovim të trashëgimisë së Francës “Fondation du Patrimoine”.

“Ne do të duhet të zbatojmë teknologji të reja që do të lënë pamjen e katedrales ashtu siç ne duam,” deklaroi ai.

De Feydeau për CNN tha se nuk është e sigurtë nëse ka pemë të mjaftueshme në Evropë që përputhen me përshkrimin e asaj që do të nevojitet për ta rindërtuar kulmin ashtu siç ishte.

Sipas faqes së internetit të Notre-Dame, për ndërtimin e saj ishin prerë 1 mijë e 300 pemë, në mes viteve 1160 dhe 1170, e shumë prej tyre ka gjasë të kenë qenë 300 deri në 400 vite të vjetra aso kohe.

Kompania e sigurimit “Groupa”, ka ofruar të paguajë për 1 mijë e 300 pemë për rindërtimin e çatisë. Kompania tha se lisat duhet të jenë nga pyjet e Normandisë, në mënyrë që të përputhen me ndërtimin origjinal të saj.

Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, të UNESCO-s, Mechtild Rosslertha se katedralja duhet të rindërtohet siç ishte në fillim.

“Ne do të përdorim metoda moderne, por duhet të bëhet ashtu sic ka qenë”, ka deklaruar Rossler.

E disa ekspertë të tjerë kanë një tjetër mendim. Sipas tyre bazuar në zjarrin e së hënës (15 prill), druri nuk do të ishte një ide e mirë për rindërtimin e kulmit.

Katedralja e Notre Damit u përfshi nga një zjarr masiv të hënën rreth orës 18:30 i cili shkatërroi dritaret e qelqit dhe enterierin prej druri.

Zjarrfikësit arritën të shpëtonin strukturën kryesore 850 vjeçare nga guri, përfshirë dy kullat e saj, por pjesa e sipërme dhe çatia u shembën krejtësisht.

Shkaktari kryesor i zjarrit ende nuk është vërtetuar po hetimet e para kanë treguar se dyshimi kryesor është tek qarku i shkurtër elektrik.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është zotuar se brenda pesë vitesh do të bëhet rindërtimi i saj, madje se kjo katedrale do të bëhet edhe më e bukur se që ka qenë më parë.

Deri tani për rindërtimin e saj janë grumbulluar më shumë se 1 miliardë dollar./Ndërtimi.info/ KultPlus.com

Të ngjajshme