Gashi e Minxhozi takohen për të bashkërenduar aktivitetet kulturore në mes Kosovës dhe Shqipërisë

3 Prill, 2018 - 2:48 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti në takim ambasadorin e Shqipërisë Shkëlqesinë e tij, Qemajl Minxhozi. Gjatë këtij takimi, ministri Gashi njoftoi Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë rreth të gjitha angazhimeve dhe përgatitjeve që po i bënë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe MKRS në shënimin e vitit mbarë kombëtarë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Theks i veçantë gjatë këtij takimi ju kushtua koordinimit të përbashkët në zhvillimin e aktiviteteve që do të realizohen me rastin e vitit mbarë kombëtarë të heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeut si dhe shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qyteti i Prizrenit do të jetë qendra kryesore e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve që do të mbahen me rastin e shënimit të vitit mbarë kombëtarë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Ministri Gashi dhe Ambasadori Minixhozi ranë dakord që në kuadër të shënimit të aktiviteteve të përbashkëta të vitit mbarë Kombëtarë të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut të dyja vendet të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta në fushën e kulturës.

Kultura e përbashkët kombëtare, gjithmonë ka pasur për orientim themelor vlerat dhe simbolikën që bartë në vete trashëgimia kastriotiane, sa i përket mesazheve dhe vlerave kombëtare, civilizuese dhe frymëzuese përgjatë shekujve. Prandaj, institucionet më të larta kulturore të të dyja vendeve do të bashkërendojnë aktivitetet që përmes kulturës, nderimi për figurën e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të jetë në lartësinë e figurës së tij. / KultPlus.com

Të ngjajshme