Gati 200 mijë bletë që jetuan në çatinë e “Notre Dame”-s i kanë shpëtuar zjarrit

20 Prill, 2019 - 10:57 pm

Bletët që jetojnë në çatinë e “Notre Dame”-s, janë gjallë dhe duke gumëzhirë, pasi kanë shpëtuar nga zjarri që depërtoi në katedrale të hënën, e ka konfirmuar bletari Nicolas Geant.

“Mora një telefonatë nga zëdhënësi i ‘Notre Dame’-s, Andre Finor, i cili tha se kishte bletë që fluturonin brenda dhe jashtë koshereve që do të thotë se janë ende gjallë”, tha Geant. “Menjëherë pas zjarrit, i shikova fotografitë nga droni dhe pash që kosheret nuk ishin djegur, por nuk kisha mundësi të dija nëse bletët kanë mbijetuar. Tash e di se aty ka aktivitet dhe është një lehtësim i madh”, ka thënë ai.

“Notre Dame” ka strehuar tri koshere bletësh në katin e parë në një çati, ku çdo koshere ka rreth 60, 000 bletë.

Geant thotë se kosheret nuk janë prekur nga zjarri për shkak se ato janë të vendosura 30 metra nën kulmin ku ka shpërthyer zjarri, raporton CNN, transmeton Koha.net.

“Ato nuk ishin në mes të zjarrit, po të kishin qenë nuk do të mund të shpëtonin”, thotë Geant. “Kosheret janë të bëra nga druri, kështu që ato do të ishin shkatërruar nga zjarri”.

“Dylli shkrihet në 63 gradë, nëse kosherja kishte arritur këtë temperaturë atëherë dylli do të ishte shkrirë duke i ngjitur bletët bashkë”.

Ndonëse ka të ngjarë që kosheret të jenë mbushur me tym, mirëpo kjo nuk ndikon tek bletët ashtu siç do të ndodhte tek njerëzit, shpjegon Geant.

“Bletët nuk kanë mushkëri si ne”, tha ai. “Dhe së dyti, për shekuj me radhë me bletët ne kemi përdorur tymuesit”.

“Isha jashtëzakonisht i mërzitur për ‘Notre Dame’-n, sepse është një ndërtesë shumë e bukur dhe si katolik do të thotë shumë për mua. Por të dëgjoja se bletët kanë jetuar, kjo është e mrekullueshme”, ka shtuar ai.

“Faleminderit Zotit që zjarri nuk i ka prekur ato, është një mrekulli”, ka thënë ai./KultPlus.com

Të ngjajshme