“Gërmia” tashmë çështje e Ministrisë së Kulturës

11 Tetor, 2018 - 3:58 pm

Gili Hoxhaj

Dje ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, ka njoftuar se tashmë ka nënshkruar vendimin për aprovimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme me 1595 asete, të cilat do t’i nënshtrohen masave dhe regjimit mbrojtës sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Ndër këto asete është edhe Qendra Tregtare – Gërmia në Prishtinë, e cila së fundmi ka krijuar shumë ‘telashe’ mes komunitetit artistik, shkruan KultPlus.

Gërmia, ishte lokacioni ku u vendos të bëhet Salla Koncertale e Kosovës, por që rrënimi i saj i mundshëm krijoj panik dhe përçarje të komunitetit.

Kësisoj, dje pas vendimit të ministrit krejt kjo u hodh në ujë, pasi që, për momentin nuk do të ketë rrënim të këtij objekti që është nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore, por që ekziston mundësia e ndërhyrjes në të.

Kështu tha për KultPlus, sot drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vjollca Aliu. Ajo theksoi se për çdo ndërhyrje në këtë objekt, duhet të kërkohet leje paraprake nga institucionet kompetente dhe vendimi arrihet pas një procesi hulumtues.

“Bazuar në dispozitat ligjore, saktësisht dispozita e nenit 4 (paragrafi i 14) ndalon shprehimisht punët apo veprimtaritë që mund të dëmtojnë vlerat e objektit, pa lejen paraprake të institucionit kompetent, e cila jepet pas një procesi hulumtues”, ka thënë Aliu për KultPlus.

Në anën tjetër, një nga zërat më kumbues në krejt këtë proces, është ai i profesoreshës Besa Luzha. Pas këtij vendimi të Ministrisë së Kulturës, Besa Luzha, për KultPlus, tha se Lista është e përkohshme deri në vendimin përfundimtar. Sipas saj, projekti i sallës koncertale ashtu kështu ka qenë në fazën nismëtare, ku theksoi se vetëm lokacioni ishte përcaktuar.

Në lidhje me atë se a duhet të ndërhyhet apo jo, sipas Luzhës, diskutimi ende nuk ka mbërri në atë pikë.

“Kjo mund të zgjidhet pas vendimit përfundimtar. Kjo nuk ndalon që të vazhdohet me punën për sallën në atë lokacion, por duhet të eksplorohen mënyrat e ndërtimit të sallës duke ruajtur disa nga pjesët e ndërtesës që kanë vlerë. Ose nëse Komuna dhe Komisioni Evropian vendosin me gjetë lokacion tjetër vazhdohet”, ka thënë Luzha për KultPlus.

Por, në lidhje me atë që ky aset është vetëm në listën e Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore dhe që ende s’ka vendim përfundimtar, sipas Ligjit Nr.02/L-088 për Trashëgiminë Kulturore të Republikës së Kosovës, lista e përkohshme ka atribute të njëjta me trashëgiminë kulturore nën mbrojtje të përhershme, siç është përcaktuar në nenin 4, të po të njëjtit ligj.

Ministri Kujtim Gashi tha se javë më parë kanë ardhë tek vendimi për futjen në nën mbrojtje të Përkohshme të Trashëgimisë Kulturore duke shqyrtuar propozimet e ekspertëve të fushës, ndërsa dhe ky objekt do të trajtohet në proporcion me legjislacionin në fuqi që e mbulon fushën e trashëgimisë kulturore. Ai tha se shpronësimi i objektit nuk e dëmton objektin i cili tanimë do të kaloj nga një pronar tek një pronar tjetër, dhe derisa do të jetë në mbrojte, ai do të trajtohet me ligjet përkatëse dhe si i tillë do të jetë i pandryshueshëm.

“Futja në ligj të mbrojtjes do ta ruaj tërësinë e objektit kurse adaptimi brenda për sallë koncertale dhe shfrytëzim për aktivitete të tjera është çështje e ekspertëve të fushës së arkitekturës të cilët duhet ta model ajojnë një zgjidhje, përndryshe unë i garantoj të gjithë qytetarët veçmas komunitetin artistik se objekti ashtu siç duket sot do të duket përgjithmonë pasi që tanimë ka marrë trajtimin ligjor nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, u shpreh Gashi për KultPlus.

Gashi tutje tha për KultPlus se objekti do të kalojë në menaxhim të Komunës së Prishtinës, por objekti do të ketë trajtim ligjor dhe do të ruhet në tërësi. “Ne do ta bëjmë mbikëqyrjen dhe trajtimin e këtij objekti sipas ligjeve në fuqi që e mbulojnë pjesën e trashëgimisë kulturore, pra do të jemi shumë konciz dhe strikt që të mos lejojmë ndërhyrjen e objektit të “Gërmisë””, u shpreh Gashi për KultPlus.

Objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, ndërtuar nga viti 1970 -1972 bazuar në projektin e arkitektes Liljana Rashevski është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Ajo është një nder objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe si tillë është pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të saj.

Në saje të rëndësisë, si një ekzemplare i rrallë i objektit të stilit modern dhe ndërlidhjes se objektit me arkitekten e spikatur Liljana Rashevski, objekti i ish shtëpisë së mallrave “Gërmia”, është futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme 2018-2019, në kategorinë Trashëgimi arkitekturale, në bazë të Ligjit Nr.02/0-L88 për Trashëgiminë Kulturore të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme