Gërmime arkeologjike në Amantia, zbulohet varri me arkitekturë monumentale

24 Gusht, 2020 - 7:00 pm

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë së bashku me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik) kryen gërmimin arkeologjik të shpëtimit dhe dokumentimin e dy varreve antike në nekropolin e parkut arkeologjik të Amantias.

Këto ndërhyrje janë vijim i punës dhe masave të mara nga DRTK dhe IKTK për luftimin e fenomenit të gërmimeve klandestine, si dhe shpëtimin e dokumentimin e monumenteve të prekura prej tij.

DRTK Vlorë bën të ditur se gjatë kësaj ndërhyrje u dokumentua një varr cist, si dhe u zbulua një varr monumental që i përket shek. III p.Kr.

“Varri me arkitekturë monumentale është një atraksion i ri për t’u vizituar në itinerarin e vizitave të parkut arkeologjik të Amantias”, – thekson DRTK Vlorë.

Tashmë DRTK Vlorë po punon për konservimin e monumentit dhe krijimin e infrastrukturës, që do të mundësojë prezantimin e tij për publikun e gjerë.

Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure.

Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para.

Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.

Ndër mundësitë interesante dhe atraktive, që parku arkeologjik i Amantias ofron janë edhe monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme