Gërmimet arkeologjike në luginën e Drinos, misioni fokusohet tek Antigonea

26 Shtator, 2021 - 3:30 pm

Gërmimet arkeologjike këtë vit në luginën e Drinos do të vijojnë për 7 javë.

Sipas ekipit shqiptaro-italian të arkeologëve misioni është duke u fokusuar më së shumti tek Antigonea qyteti i ndërtuar nga mbreti Pirro në vitin 295 pk. Misioni synon të sqarojë dy momente themelore nga pikpamja kronologjike, banesat dhe stili i jetës gjatë periudhës elenistike dhe lidhja e kësaj periudhe më pas me ndërtimet romane dhe bizantine që lidhen me Adrianopolin dhe Paleokastrën.

Roberto Perna: “Ky është një projekt shumë i veçantë dhe kompleks i universitetit të Maçeratës dhe Institutit të Arkeologjisë. Më parë jemi marrë me Hadrianopolin dhe qytetet e fortifikuara të luginës së Drinos kurse këtë vit po merremi veçanërisht me Antigonenë dhe Peleokastrën me qëllim për të qartësuar disa momente të rëndësishme të fazave historike në këtë terirtor. Objektivi i dytë është krijimi i një plani të vlerësimit dhe menaxhimit të duhur të një siti si Antigonea. Këtu përveçse gërmimeve ne po sugjerojmë një formë menaxhimi.”

Gërmimet deri tani kanë siguruar gjetje me vlerë të periudhës helenistike ndërsa misioni do të kryejë sondazhe të mëtejshme në funksion të kërkimit të tempujve, sheshit qëndror dhe teatrit.

Sabrina Veseli: “Gërmimet janë përqëndruar në zonën e agorasë së qytetit dhe rezultatet deri tani janë premtuese me një godinë të zbuluar në agora dhe studimet gjeo-fizike na kanë dhënë indicie të mundshme ku mund të gjendet teatri i Antigonesë.”

Ekspedita e vitit të kaluar zbuloi se agoraja ishte e zhveshur nga ndërtimet masive publike por gërmimet konfirmuan funksionin e saj dhe faktin që qyteti nuk lejonte kalimin e mallrave dhe produkteve të përshkonin rrugët kryesore duke i përqëndruar shkëmbimet vetëm në agora.

Objektiv kryesor në këtë sit vijon të mbetet teatri. Ky objekt masiv duke mos u grabitur në periudhat pas djegjes duhet të jetë i ruajtur mirë dhe besohet se kishte një kapacitet rreth 5000-6000 vende./KultPlus.com

Të ngjajshme