Gjirokastra u vizitua nga 90 mijë turistë në vitin 2021

8 Shkurt, 2022 - 11:59 pm

Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat e tij.

Sipas bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj ndërkohë që dy muzeumet e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi.

Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër.

Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme