Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës reagon lidhur me rastin e Kaltrina Ibishit

20 Janar, 2019 - 7:29 pm

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka reaguar lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj Kaltrina Ibishit, shkruan KultPlus.

Në reagim thuhet se rastin e publikimit të dhunës së ushtruar kundër Kaltrina Ibishit, e kanë përjetuar rëndë për faktin se dhuna e ushtruar kundër gruas, si gjini fizikisht më e pafuqishme, ka shëmtinë e vet arkaike, burracakërinë dhe perversitetin.

“Të jeni të bindur se raste të tilla të dhunës ka dhe janë të shumta. Dhuna nuk ushtrohet vetëm në zonat rurale, aty ku në përqindje është më i theksuar patriarkalizmi. Dhuna ushtrohet edhe nga njerëzit e veshur me kravata, edhe nga njerëzit më kuleta të fryra, edhe nga politikanë të profileve të ndryshme, madje edhe nga vetë predikuesit fetarë. Madje këta të fundit thonë se gruaja duhet të varroset më thellë se burri. E turpshme kjo”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se zëri i Kaltrina Ibishit e të tjerave si ajo, duhet të dëgjohen më shumë në shoqëri.

“Si çdo plagë trupore, edhe kjo plagë e shoqërisë duhet të hapet që e keqja të del. Zëri i Kaltrinës është një zë, fatkeqësisht shumë i vetmuar, siç është edhe vetë zëri i Oso-s së vogël – djalit të, Kaltrinës, si përjetues i dhunës. Kaltrina është një ekzemplar shembullor i një heroine. E tillë na duhet ne femrave sot. Ajo është një heroinë çfarë i duhet shoqërisë tonë për shërimin e plagëve arkaike të dominimit gjinor”, thuhet tutje në reagim. / KultPlus.com

Të ngjajshme