“Guri i qytetit”, simboli i identitetit të Përmetit

24 Qershor, 2020 - 12:55 pm

Një ndër destinacionet më tërheqëse të qytetit të Përmetit është edhe “Guri i qytetit”, një masiv shkëmbor anës lumit Vjosë, 42 metra i lartë dhe 650 metra katrorë.

Sipas gjeologëve “Guri i qytetit” është shkëputur nga mali i Dhëmbelit pas një tërmeti, kurse legjenda tregon ndryshe.

Sipas legjendës Kryezoti i krahinës Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV kur ushtria e Sulltan Mehmetit pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Premti kishte vdekur dhe kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji, i cili kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji.

Një natë turqit mbërritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të “Gurit të qytetit”, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur ka disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit.

“Qyteti i trëndafilave”, siç njihet ndryshe qyteti i Përmetit, vitet e fundit vijon të jetë në qendër të udhëtimeve të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme