Halili çon në Vjenë zërin e kosovarëve të izoluar

17 Qershor, 2018 - 9:00 am

Zëri i kosovarëve të izoluar do të dëgjohet në Vjenë përmes punës së artistes shqiptare, Ervina Halili.

Më 20 qershor Halili do të prezantojë punën e saj artistike në “Museums Quarter”, në të cilën shfaqen tekste zanore në gjuhën shqipe të cilat flasin për pamundësinë e lëvizjes së lirë në kontekst politik dhe emocional.

“‘Museums Quarter’ është një kompleks muzesh me hapësirë prej 60.000 metra katrorë. Përfshinë barokun dhe muzetë e artit bashkëkohorë si Leoplod, Mumok e Tanzquartier. Përveç këtyre, muzeu ka një numër të madh të studiove të artistëve të cilët përkohësisht jetojnë dhe punojnë brenda muzeut”, ka thënë Halili.

Ajo bën të ditur se ky projekt i sjelljes së artistëve të huaj për të kontribuar brenda muzeut është themeluar në vitin 2002 dhe mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane dhe Institutit Kërkimor për Art dhe Teknologji.

Dashamirët e artit mund të vizitojnë gjithashtu këto studio çdo të diele, për të parë punët e artistëve.

Në këto rezidenca arti çdo dy-tre muaj ftohen artistë të secilës fushë të artit dhe letërsisë. Sound Art, letërsi, fotografi, art i rrugës, grafikë, performancë, dhe këta artistë mund të vazhdojnë punën e tyre individualisht ose edhe mund të bashkëpunojnë me artistët e fushave të tjera.

Në qershor e korrik, përveç Ervina Halilit, janë edhe këta artistë në muze:

“Secili prej tyre ka ngjarjen individuale, dhe ajo e imja është me datën 20 qershor brenda hapësirës së muzeut. Do të projektohen disa tekste zanore në gjuhën shqipe të cilat flasin për pamundësinë e lëvizjes së lirë në kontekst politik dhe emocional si dhe për trajtim të qenies njerëzore si qenie politike. Do të prezantohet libri im i botuar këtu në Vjenë “Der Schlaf des Octopus” si dhe koncepti i vetë shkatërrimit kolektiv si pasojë e nënshtrimit ndaj etikës politike dhe konvencionale”, shprehet Halili për Koha.net.

Ajo shton se, “projekti aktual në të cilin po punoj është material më i ndjeshëm se sa materiali poetik të cilin do ta prezantoj me datën 20 qershor. Projekti aktual i punës si hulumtim ka përfunduar gjatë qëndrimit tim në Kosovë, pas kthimit tim nga Grazi, dhe vazhdon të jetë i hapur për rrëfime spontane”.

Këto nuk janë të vetmet projekte të saj, ajo gjithashtu bën të ditur se më 1 shtator do të prezantohet një pjesë e punëve të saj në gjuhën gjermane.

“‘Landis & Gyr Stiftung’ në Zug me ka ndarë çmimin për shkrimtaren e gjysmëvjetorit me ç’rast nga gushti i këtij viti do të mund të vazhdoj rrugëtimin tim letrar atje në studiot dhe galeritë e tyre. Më 1 shtator gjatë ‘Zuger Kunstnacht’ do të prezantohet një pjesë e punëve të mia në gjuhën gjermane nga aktori Zari Dzaferi, dhe saksofonisti Christof Zurbuchen”, thotë Halili./ KultPlus.com

Të ngjajshme