‘Hani i 2 Robertëve’, vendi ku u rritën gjenerata të ndryshme të artistëve kosovarë (FOTO)

10 Tetor, 2017 - 8:27 pm

Qyteti satelit – mbijetesa shoqërore dhe kulturore e Shqiptarëve të Kosovës përgjatë viteve ’90-të

Eliza HOXHA

Kultura e kafenesë

Shqiptarët mbijetuan të ’90-tat kulturalisht falë kafenesë. Kafeneja ishte dhoma urbane e shqiptarëve, oaza e shpresës, rebelimit dhe dashurive të reja për vendin, kombin dhe gjuhën, për vetën dhe jetën. Kurrizi, indi i kafeneve te Santeja dhe Qafa ishin boshtet e reja socio-kulturore të shqiptarëve të asaj kohe. Arti I rezistencës si arti I një gjenerate të përjashtuar bëri historinë e vet jo vetëm në aspektin e komunikimit me botën por edhe në sjelljen e një rendi të ri artistik përtej estetikës, një arti provokues dhe dialogues. “Ky art I rezistencës – sipas Maliqit, fillojë të vë në pikëpyetje kuptimin e artit duke adoptuar një qëndrim kritik drejt artit ”të babait” dhe akademizimit të tyre të lumtur dhe jokonfliktuoz”.

Në këtë kontekst Sahatciu thekson se ”gjatë kësaj kohe, një ndjenjë anti-akademizmi e poashtu edhe një formë dhe stil iri i predikimit të artit u zhvillua në një rrymë të re arti të ekspozuar në kafene dhe galeri private siç ishte kafene “Koha”, “Hani i 2 Robertëve”, Galeria “Dodona” etj. Nocionet a asaj se çfarë e konstituon artin filluan të vihen në pikëpyetje pikërisht në këto lloj hapësirash”. “Hani I 2 robertëve” nisi si dëshirë për të kriju një hapësirë shprehëse artistike si alternativë e kohës dhe më pas u shndërrua në mision, duke realizuar mbi 100 ekspozita gjatë asaj kohe, thekson pronari I tij Fadil Dragaj. Aty njohu vetën dhe shpalosi vetën gjenerata e të ’90-tave. Po të mos ishte “Hani” sot shumica e artistëve të njohur që ka Kosova ndoshta nuk do të ishin fare. Kujtojmë gjeneratën e Mehmet Behlulit, Sokol Beqirit, Zake Prelvukaj e deri të Gani Gashi veprat e të cilit u dogjën bashkë me Hanin para përfundimit të luftës. Hani dyjëzoj njëkohësisht hapësirën artistike me atë diplomatike. “Lufta informative dhe diplomatike e Kosovës me botën është bërë në Han”.

Personalitete politike, të medieve dhe artit lokal dhe global që i gjejmë në fotografitë e kujtesës së “Hanit” dhe fletoren e kujtimeve të mbijetuara nga lufta ishin akterët kryesor të proceseve të shtetformimit të Kosovës. Një nga shënimet në fletoren e kujtimeve nga “ The guardian” thotë: Kam dëgjuar për spitale nëntokë dhe lëvizje të ndryshme nën tokë, por nuk kam besuar se ka një galeri kaq të mahnitshme nën tokë. Galeria “Hani I 2 Robertëve” funksionoj si hapësirë vetfinancuese duke e mirëmbajtur veten përmes ushqimit dhe kafesë, pjesë kjo që asnjëherë nuk e morri primatin mbi ushqimin shpirtëror. Përtej artit, Harmonika që lozte këngët shqipe ishte prezente aty ndër vite, e shpesh edhe mësimi dhe provimet e studentëve të Fakultetit të arteve zënin vend aty. Në anën tjetër në 1997 themelimi I Galerisë “Dodona” shënon një hapësirë të re shkëmbimi dhe komunikimi duke u munduar të institucionalizoj lëvizjet e reja të artit dhe ta shtyej debatin përtej korrnizave aktuale politike. Maliqi thekson se “arti Kosovar ka përjetuar çlirimin e tij në Dodonë”.

Përveç ekspozitave të artistëve të kohës dhe ekspozitave kolektive të studentëve ky vit shënon shtyerjen/thyerjen e kufijve përmes artit si platformë komunikimi kundër dhunës dhe mundësi hapjeje për debate të reja pajtimi. Galeria “Dodona” në Prishtinë dhe Qendra për dekontaminim kulturor në Beograd si “institucione alternative kundër regjimit të Millosheviqit” bëjnë hapin e madh, duke realizuar ekspozitën “ Përtej” të artistëve aktual shqiptar: Sokol Beqiri, Maksut Vezgishi, Mehmet Behluli dhe Ilir Bajri (muzikë) në Beograd, përkrahur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur. ”Rrethanat e atëhershme të acaruara në Beograd dhe Prishtinë, projektin e bënë edhe më delikat dhe provokativ”. Por a ishte e mundur që këto hapësira sa të dukshme e poaq “sekrete” të mos ishin në shënjestër të sistemit të asaj kohe. Sikurse edhe te shkollat – shtëpi ku me mijëra herë policia kishte atakuar profesorët dhe studentët njësoj ishte edhe presioni ndaj këtyre akterëve. Alisa Maliqi, drejtoresha e galerisë “Dodona”, kujton se sa herë policia kishte frekuentuar aty duke pyetur mbi aktivitetet.

Në anën tjetër, Fadil Dragaj, pronari I Hanit kujton burgosjen e tij në vitin 1997 gjatë ekspozitës së studentëve”salloni I karikaturës” sërish për shkak të parullës së ironizuar “Kosova Republikë” në shqip dhe serbisht-cirilic. Edhe pse I liruar pas një jave për shkak të shumë presioneve publike nuk I kishte shpëtuar syrit të tyre kur me 22 mars 1999, dy ditë para bombardimeve të NATO’s ai ishte plagosur përballë lokalit të tij duke pirë kafe bashkë me miq të artit prej të cilëve kujtojmë aktoren Ardiana Abdullahu e cila humbi jetën atë ditë. “Me krejt sfidat dhe vështirësitë kjo kohë kishte shumë dashni dhe vullnet të mirë mes njerëzve ndër shqiptarë” kujton Maliqi në anën tjetër .

( Eliza Hoxha e ka prezantuar këtë pjesë punimi në konferencën ‘Ballafaqimi me të kaluarën: lëvizjet shoqnore gjatë socializmit dhe viteve ’90’ në Prishtinë, organizuar nga Alter Habitus. ) / KultPlus.com

Fotografitë janë të gjitha nga Arkivi i ‘Hani i 2 Robertëve’