Hani i Gjelit rimerr jetë nga “Bonusi i Rijetësimit”

22 Nëntor, 2022 - 9:05 am

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka sjellë në vëmendje një tjetër ndërtesë e cila po përfiton nga “Bonusi i Rijetësimit”. Bëhet fjalë për Hanin e Gjelit, i cili edhe pse në qendër të qytetit të Korçës, ishte shndërruar në një gërmadhë.

“Sot, falë “Bonusit të Rijetësimit”, ajo po rimerr jetë”, shkruan ministrja e Kulturës, në rrjetet sociale.

Arkitektja Larisa Agovi, zhvilluese e projektit, tregon për funksionet e reja që do të marrë ky objekt, ku nuk do të mungojnë edhe hapësirat muzeale dhe ekspozuese.

“I jemi shumë mirënjohës Ministrisë së Kulturës, që na bëri të mundur zhvillimin e këtij projekti, i cili nuk do të jetë vetëm një hotel por do të ketë dhe ambiente të tjera rekreative”, thotë arkitektja e Hanit të Gjelit.

Projekti parashikon ngritjen e një hoteli, bar, restorant, SPA, hapësira muzeale dhe për ekspozime, të cilat do të përbëjnë një atraksion më shumë për qytetin e Korçës.

Hani i Gjelit, i ndërtuar në shekullin e 19-të, është një nga 16 hanet e dikurshme, të pazarit të Korçës. Sot ekzistojnë pak prej tyre, një pjesë të restauruara së fundmi dhe të frekuentuara nga një numër i madh turistësh./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme