Hapet edicioni i 8-të i Panairit të Suvenireve Turistike

23 Gusht, 2019 - 12:30 pm

Në qytetin e Sarandës ka startuar edicioni i 8-të i Panairit të Suvenireve Turistike me qasje mjedisore.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma ishte i pranishëm në hapjen e panairit i shoqëruar nga dy nënkryetarët Ramiz Hysi e Jorgo Mitro.

Panairi synon promovimin turistik të resurseve të traditës së artizanëve shqiptarë në fushën e punimeve të dorës, me realizime të artikujve në lloje të ndryshme materiali si, punime në qëndisje, në material leshi, druri, guri, guaska deti, lëkurë, qeramikë, metal, etj.

Artizanët shqiptarë sjellin pranë njëri-tjetrit në këtë event kombëtar traditën e punëve të dorës. Panairi përfshin qëndistarinë me dorë dhe punët në tezgjah, punime në material druri, në lesh, me shtiza, në filigram, në bizhuteri dhe veshje kombëtare, në guaska të qëmtuara nga brigjet e Jonit përmes një larmie teknikash aplikative, etj.

Panair Kombëtar i Suvenireve pritet të përcillet nga shumë vizitorë shqiptarë dhe të huaj, të cilët ashtu si edhe në vitet e mëparshme, kanë blerë kujtimet e pushimeve të tyre nga Saranda në këtë panair. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme