Hapet Këndi Arkivor në Pogradec

26 Nëntor, 2020 - 12:33 pm

Në bibliotekën e qytetit të Pogradecit u hap Këndi Arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Ky kënd është një hapësirë për të lexuar, studiuar dhe punuar, e hapur për akademikët, studentët dhe për publikun e gjerë të qytetit të Pogradecit, njësoj sikur të ishin në sallën e studimit në Tiranë, sepse teknologjia e informacionit, dhe procedurat e ngritura tashmë nga DPA mundësojnë këtë lehtësi qasjeje në dokumente arkivore.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli përuruan Këndin Arkivor Pogradec të DPA-së.

Gjatë fjalës së tij, Bido tregoi se kjo nismë është një projekt madhor që ka për qëllim hapjen e 100 sallave të tilla studimi në të gjithë hapësirat shqiptare.

“Ne i përqendruam arkivat dhe bëmë pastaj gjithë pjesën tjetër, shërbimin e delokalizuar, në mënyrë që ky shërbim i delokalizuar të shkojë në çdo qytet të mundshëm, kudo ku ka një sallë biblioteke, që studiuesi vjen. Në atë sallë studimi ku studiuesi vjen nuk sheh vetëm librin por edhe dokumentin, kështu që na duhej partneri lokal”, tha Bido.

Falë bashkëpunimit me DPA, siç u shpreh kryebashkiaku Xhakolli, kjo nismë do t’i vijë në ndihmë studiuesve por edhe të gjithë qytetarëve të Pogradecit.

“Ky është një projekt i rëndësishëm për qytetarët por edhe i institucionin”, tha Ilir Xhakolli.

Këndi Arkivor Pogradec është hapësira më e re e krijuar nga DPA pas hapjes së Këndit Arkivor në Gjirokastër, Shkup dhe Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme