Hapet thirrja për Bonusin e Rijetësimit

30 Janar, 2023 - 2:50 pm

Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për vitin e dytë të Bonusit të Rijetësimit.

Skema mbështetëse është për këdo që do të restaurojë dhe rijetësojë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike.

Këtë vit buxheti për Bonusin e Rijetësimit është 50% më i madh se një vit më parë. Për mirëmbajtje dhe konservim mbështetja do të jetë deri në 1 milion lekë, ndërsa për restaurim dhe rijetësim deri në 6 milionë lekë.

Përpos ruajtjes dhe evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të objektit apo kompleksit ku ai bën pjesë, edhe këtë vit do të përkrahen ato projekte me ndikim në zhvillimin ekonomiko-social të komunitetit të zonës; do të përkrahen të rinjtë, gratë e vajzat, individët me aftësi ndryshe dhe emigrantët që zgjedhin të investojnë në vendin e tyre.

Aplikimi për këtë mbështetje do të kryhet përmes portalit e-Albania dhe afati është deri më 3 mars 2023. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme